Victor Hygo: Letërsia është qeverisje e njerëzimit nëpërmjet mendjes njerëzore
“Le Rappel” ka botuar, të mërkurën e 19 qershorit 1878, në ballinë, fjalimin e Victor Hugo, të mbajtur me rastin e Kongresit letrar ndërkombëtar në Paris
Ky është fjalimi i mbajtur nga Victor Hugo në sesionin e hapjes së Kongresit letrar ndërkombëtar:
Zotërinj,
Ajo që e bën madhështinë e vitit të paharrueshëm në të cilin jemi është se, në mënyrë sovrane, mbi thashethemet dhe zhurmat, duke imponuar një ndërprerje madhështore të armiqësive të çuditshme, ai i jep zë civilizimit. Mund të themi për të : ky është një vit i bindur. Atë që dëshironte të bënte, ai e bëri. Ai zëvendëson axhendën e vjetër, luftën, me një axhendë të re, progresin. Ai u bë ball rezistencave. Kërcënimet gjëmojnë, por bashkimi i popullit buzëqesh. Vepra e vitit 1878 do të jetë e pashkatërrueshme dhe e plotë. Asgjë e përkohshme. Ne ndiejmë se në gjithçka që bëhet ndihet diçka përfundimtare. Ky vit i lavdishëm shpall, përmes Ekspozitës së Parisit, aleancën e industrive; me njëqindvjetorin e Volterit, aleancën e filozofive; me kongresin të mbledhur këtu, aleancën e letërsive (Duartrokitje); federatë e madhe pune në të gjitha format; venerim i vëllazërisë njerëzore që ka si bazë fshatarët dhe punëtorët dhe si kurorë mëndjet. (Bravo.)
Industria kërkon dobinë, filozofia kërkon të vërtetën, letërsia kërkon të bukurën. E dobishmja, e vërteta, e bukura, ky është qëllimi i trefishtë i gjithë përpjekjes njerëzore; dhe triumfi i kësaj përpjekjeje sublime është, zotërinj, civilizimi midis popujve dhe paqja midis njerëzve.
Për të dëshmuar këtë triumf, ju jeni dyndur nga të gjitha pjesët e botës së civilizuar. Ju jeni inteligjencat e mëdha (zgjuarsia) që kombet i duan dhe i respektojnë, ju jeni talentet e famshëm, zërat bujar të dëgjuar, shpirtrat në punën e përparimit. Ju jeni paqeruajtësit. Ju sillni këtu rrezen e vlerave. Ju jeni ambasadorët e shpirtit njerëzor në këtë Paris të madh. Mirësevini ! Shkrimtarë, oratorë, poetë, filozofë, mendimtarë, luftëtarë, Franca ju përshëndet. (Duartrokitje të zgjatura.)
Ju dhe ne, ne jemi qytetarë të qytetit universal. Të gjithë, krah për krah, le të pohojmë unitetin dhe aleancën tonë. Le të hyjmë, të gjithë së bashku, në atdheun e madh të qetë, në absoluten, që është drejtësia, në idealin, që është e vërteta.
Nuk është për interes personal ose të kufizuar që jeni mbledhur këtu; është për të mirën e përbashkët. Çfarë është letërsia? Është aktivizimi i shpirtit njerëzor. Çfarë është civilizimi? Është zbulimi i përhershëm që shpirti njerëzor ndërmerr në çdo hap; nga ku fjala « Përparim ». Mund të themi se letërsia dhe civilizimi janë identike.
Popujt e masin veten me letërsinë e tyre. Kalon një ushtri prej dy milion burrash, por një Iliadë mbetet; Xercès ka ushtrinë, por i mungon epika (epopeja) : Xercès harrohet. Greqia është e vogël në territor dhe e madhe me Eskilin. (Lëvizje) Roma është vetëm një qytet; por përmes Tacitus, Lucretia-s, Virgjilit dhe Juvenal-it, ky qytet mbush botën. Nëse flisni për Spanjën, Cervantes shfaqet; nëse flisni për Italinë, Dante ngrihet; nëse përmendni Anglinë, shfaqet Shekspiri. Në kohë të caktuara, Franca përmblidhet në një gjeni dhe shkëlqimi i Parisit bashkohet me qartësinë e Volterit. (Bravo të përsëritura.)
Zotërinj, misioni juaj është i lartë. Ju jeni një lloj asambleje themeluese e letërsisë. Ju keni kapacitetin, nëse jo të miratoni ligje, të paktën t’i diktoni ato. Thoni gjërat e duhura, shprehni idetë e duhura dhe nëse, nga e pamundura, nuk ju dëgjojnë, epo mirë, do ta bëni ligjin të kuptojë gabimin e tij.
Ju do të bëni një themel, pronën letrare. Ajo është në të drejtën (drejtësinë), ju do ta vendosni në kod (ligj). Sepse, unë them, zgjidhjet dhe këshillat tuaja do të merren parasysh.
Ju do të bëni që legjislatorët të cilët dëshirojnë ta reduktojnë letërsinë në një fakt lokal, të kuptojnë se letërsia është një fakt universal. Letërsia është qeverisja e njerëzimit nëpërmjet mendjes njerëzore.
Prona letrare është e dobishme për përgjithësinë. Të gjitha ligjet e vjetra monarkike e kanë mohuar dhe ende e mohojnë pronën letrare. Çfarë qëllimi? Me qëllim skllavërimin. Pronari-shkrimtar është shkrimtari i lirë. T’i heqësh pasurinë do të thotë t’i heqësh pavarësinë. Të paktën shpresojmë kështu. Prej kësaj, ky gabim i veçantë, i cili do të ishte fëminor nëse nuk do të ishte tradhtar : Mendimi i përket të gjithëve, prandaj nuk mund të jetë pronë, prandaj prona letrare nuk ekziston. Konfuzion i çuditshëm, së pari, i aftësisë së të menduarit, e cila është e përgjithshme, me mendimin, i cili është individual; mendimi jam unë; pastaj, konfuzion i mendimit, një gjë abstrakte, me librin, një gjë materiale. Mendimi i shkrimtarit, si mendim, i shpëton çdo dore që dëshiron ta kapë atë; fluturon nga shpirti në shpirt; ai e ka këtë dhuratë dhe këtë forcë, virum volitare per ora; por libri është i dallueshëm nga mendimi; si libër, është i kapshëm, aq i kuptueshëm sa që ndonjëherë kapet. (Qeshin.) Libri, produkt i shtypshkronjës, i përket industrisë dhe përcakton, në të gjitha format e tij, një lëvizje të gjerë tregtare; ai shitet dhe blihet; është pronë, vlerë e krijuar dhe jo e fituar, pasuri e shtuar nga shkrimtari në pronën kombëtare, dhe, në të vërtetë, në të gjitha aspektet, më e pakontestuesja e pronave. Kjo pronë e paprekshme shkelet (dhunohet) nga qeveritë despotike; ata konfiskojnë librin, duke shpresuar të konfiskojnë shkrimtarin. Nga ku sistemi i pensioneve mbretërore. Merrni gjithçka dhe jepni pak. Shkatërrim dhe nënshtrim të shkrimtarit. E vjedhin, pastaj e blejnë. Përpjekje e padobishme, për më tepër. Shkrimtari shpëton. Ne e bëjmë atë të varfër, ai mbetet i lirë. (Duartrokitje.) Kush mund t’i blejë këto ndërgjegje madhështore, Rabelais, Molière, Pascal ? Janë përpjekur, por rezultati është i dëshpëruar. Monarkia është një lloj thithje e tmerrshme e forcave vitale të një kombi; historiografët u japin mbretërve titujt e etërve të kombit dhe etërve të letrave; gjithçka mbahet në tërësinë fatale monarkike; Dangeau, lajkatar, e sheh nga njëra anë, Vauban, i ashpër, e sheh nga ana tjetër; dhe, për atë që quhet “shekulli i madh”, për shembull, mënyra në të cilën mbretërit janë baballarë të kombit dhe etër të letrave rezulton në këto dy fakte të liga: njerëzit pa bukë, Corneille pa këpucë.
Çfarë fshirje e errët o mbretërim i madh!
Zotërinj, le t’i kthehemi parimit : respektimi i pronës. Le të vëzhgojmë pronën letrare, por, në të njëjtën kohë, të krijojmë pronën publike. Të shkojmë me tej. Le ta bëjmë më të madhe. Që ligji t’u japë të gjithë botuesve të drejtën të botojnë të gjithë librat pas vdekjes së autorëve, me kushtin e vetëm të pagimit të trashëgimtarëve të drejtpërdrejtë të një honorari shumë të ulët, i cili në asnjë rast nuk tejkalon pesë ose dhjetë përqind të fitimit neto. Ky sistem shumë i thjeshtë, i cili pajton pasurinë e padiskutueshme të shkrimtarit me të drejtën jo më pak të padiskutueshme të pronës publike u tregua, në komisionin e vitit 1836, nga ai që po ju flet në këtë moment dhe kjo zgjidhje mund të gjendet, me të gjitha zhvillimet e saj, në procesverbalin e komisionit, botuar më pas nga Ministria e Brendshme.
Parimi është i dyfishtë, mos të harrojmë. Libri, si libër, i përket autorit, por, si mendim, i përket – fjala nuk është shumë e gjerë – njerëzimit. Të gjitha inteligjencat janë të pranueshme. Nëse një nga dy të drejtat, e drejta e shkrimtarit dhe e drejta e shpirtit njerëzor, do të sakrifikohej, sigurisht që do të ishte e drejta e shkrimtarit, sepse interesi publik është shqetësimi ynë i vetëm, dhe të gjitha, unë e deklaroj që duhet të radhiten para nesh (Shenja miratimi).
Por, sapo e thashë, kjo sakrificë nuk është e nevojshme.
Ah! drita ! drita gjithmonë ! drita kudo ! Nevoja për gjithçka është drita. Drita është në libër. Hapni librin në tërësi. Lëreni të shkëlqejë, lëreni të jetë (bëjë). Kushdo që jeni që dëshironi të edukoni, gjallëroni, ndërtoni, zbutni, qetësoni, vendosni libra kudo; mësoni, tregoni, demonstroni; shumëfishoni shkollat; shkollat janë pikat e ndritshme të civilizimit.
Ju kujdeseni për qytetet tuaja, dëshironi të jeni të sigurt në shtëpitë tuaja, jeni të preokupuar nga ky rrezik : lëreni rrugën të errët; konsiderojeni këtë rrezik edhe më të madh: ta lini mendjen njerëzore në errësirë. Inteligjencat janë rrugë të hapura; ata kanë vajtje-ardhje, kanë vizitorë, të mirë apo të këqij, mund të kenë kalimtarë fatalë; një mendim i keq është i njëjtë me një hajdut nate, shpirti ka keqbërës; sillni dritë kudo; mos i lini në inteligjencën njerëzore ato qoshe të errëta ku mund të kenë folenë bestytnitë, ku mund të fshihet gabimi, ku mund të fshihen gënjeshtrat. Injoranca është një muzg; e keqja rri aty. Merrni parasysh ndriçimin e rrugëve; por mendoni gjithashtu, mendoni mbi të gjitha, për ndriçimin e shpirtrave. (Duartrokitje të zgjatura.)
Kjo kërkon, sigurisht, një shpenzim të mrekullueshëm të dritës. Pikërisht, për këtë shpenzim të dritës, Franca ka punuar për tre shekuj. Zotërinj, më lejoni të them një fjalë birnore, e cila, për më tepër, është në zemrat tuaja si në timen; asgjë nuk do të mbizotërojë kundër Francës. Franca është në interesin publik. Franca po ngrihet në horizontin e të gjithë popujve. Ah! Thonë ata, bën dritë, Franca është aty! (Po / po…Bravo të përsëritura.)
Se mund të ketë kundërshtime ndaj Francës, kjo çudit; por ka megjithatë ; Franca ka armiq. Ata janë madje armiqtë e civilizimit; armiqtë e librit, armiqtë e mendimit të lirë, armiqtë e emancipimit, provimit, çlirimit; ata që shohin në dogmën një mjeshtër të përjetshëm dhe në njerëzimin një të mitur të përjetshëm. Por ata po humbin kohën e tyre, e kaluara ka mbaruar, kombet nuk kthehen në të vjellat e tyre, verbëria ka një fund, dimensionet e injorancës dhe gabimit janë të kufizuara. Mbani anën tuaj, njerëz të së kaluarës, ne nuk kemi frikë nga ju ! vazhdoni, reagoni, ne po ju shikojmë me kuriozitet ! provoni forcën tuaj, fyeni 89, dekurajoni Parisin, thoni anatemën për lirinë e ndërgjegjes, për lirinë e shtypit, për lirinë e tribunës, anatemën për ligjin civil, anatemën për revolucionin, anatemën për tolerancën, anatemën për shkencën, anatemën për përparimin. Mos u mërzitni. Ëndërroni, derisa të jeni, një syllabus (planprogram) aq të madh për Francën dhe një fikës (errësues) aq të madh për diellin (Brohoritje unanime. Duartrokitje të trefishta.)
Nuk dua të përfundoj me një fjalë të hidhur. Le të shkojmë lart dhe të qëndrojmë në qetësinë e pandryshueshme të mendimit. Ne kemi filluar të pohojmë pajtimin dhe paqen; le të vazhdojmë këtë pohim krenar dhe të qetë.
Unë e kam thënë diku tjetër, dhe e përsëris, e gjithë mençuria njerëzore qëndron në këto dy fjalë : Pajtim dhe ripajtim; pajtim për idetë, ripajtim për njerëzit.
Zotërinj, ne jemi këtu midis filozofëve, le ta shfrytëzojmë rastin, të mos trembemi, le të themi të vërtetat. (Buzëqeshje dhe shenja miratimi me kokë.) Ja një, një të tmerrshme : raca njerëzore ka një sëmundje, urrejtjen. Urrejtja është nëna e luftës; nëna është famëkeqe, vajza është e tmerrshme.
Le t’ua kthejmë goditje për goditje. Urrejtje ndaj urrejtjes! Luftë kundër luftës! (Sensacion.)
A e dini se cila është kjo fjalë e Krishtit : A e doni njëri-tjetrin ? Ky është çarmatimi universal. Është shërimi i njerëzimit. Ky është shpengimi i vërtetë. Duajuni ! Kështu e çarmatosim më mirë armikun; duke ia zgjatur dorën në vend se t’i tregojmë grushtin. Kjo këshillë nga Jezusi është një urdhër nga Zoti. Është e mirë. Ne e pranojmë atë. Ne jemi me Krishtin, ne të tjerët ! Shkrimtari është me apostullin; ai që mendon është me atë që do. (Bravo.)
Ah ! le të bërtasim për civilizimin ! Jo ! jo ! jo ! ne nuk duam barbarë që bëjnë luftë, as egërsira që vrasin ! Ne nuk duam as luftë popull me popull, apo luftë njeri me njeri. Çdo vrasje nuk është vetëm e egër, por e pakuptimtë. Lavdia është absurde dhe kamja është budallaqe. Ne jemi luftëtarë të shpirtit dhe është detyra jonë të parandalojmë luftën e lëndës; funksioni ynë është që gjithmonë të hidhemi në mes të dy ushtrive. E drejta për jetën është e paprekshme. Ne nuk i shohim kurorat, nëse ka, shohim vetëm kokat. Të falësh do të thotë të bësh paqe. Në orët e errëta, ne u kërkojmë mbretërve që të kursejnë jetën e njerëzve dhe ne kërkojmë që republikat të kursejnë jetën e perandorëve. (Duartrokitje.)
Është një ditë e bukur për të paligjshmin kur ai i lutet një populli për një princ dhe kur ai përpiqet të përdorë, në favor të një perandori, këtë të drejtë faljeje që është e drejta e mërgimit.
Po, të pajtojmë dhe ripajtojmë. Ky është misioni ynë, tek ne filozofët. O vëllezërit e mi të shkencës, poezisë dhe artit, le të vëzhgojmë gjithëfuqinë civilizuese të mendimit. Me çdo hap që bën njerëzimi drejt paqes, le të ndiejmë gëzimin e thellë të së vërtetës që rritet në ne. Le të kemi kënaqësinë krenare të punës së dobishme. E vërteta është një dhe nuk ka rreze divergjente; ajo ka vetëm një sinonim, drejtësinë. Nuk ka dy drita, por vetëm një, arsyeja. Nuk ka dy mënyra për të qenë i sinqertë, i arsyeshëm dhe i vërtetë. Rrezja që është në Iliadën është identike me qartësinë e cila është në Fjalorin filozofik. Kjo rreze e pakorruptueshme kalon shekujt me drejtësinë e shigjetës dhe pastërtinë e agimit. Kjo rreze do të triumfojë mbi natën, domethënë mbi antagonizmin dhe urrejtjen. Kjo është mrekullia e madhe letrare. Nuk ka asgjë më të bukur. Forca e shpërqendruar dhe e tronditur para ligjit, arrestimi i luftës nga mendja, është, o Volter, dhuna e zbutur nga mençuria; është, O Homer, Akili i marrë nga flokët nga Minerva ! (Duartrokitje të gjata.)
Dhe tani që do të përfundoj, më lejoni një dëshirë, një dëshirë që nuk i drejtohet asnjë partie dhe që i drejtohet të gjitha zemrave.
Zotërinj, është një romak që është i famshëm për një ide fikse, ai tha : Le ta shkatërrojmë Kartagjenën ! Edhe unë kam një mendim që më fikson, dhe ja cili është : Shkatërroni urrejtjen: Nëse letërsia njerëzore kanë një qëllim, ky është ai. Humaniores litterœ. Zotërinj, shkatërrimi më i mirë i urrejtjes bëhet nëpërmjet faljes. Ah ! Të mos mbarojë ky vit i madh pa paqësimin përfundimtar, të përfundojë me mençuri dhe përzemërsi dhe që pasi të ketë shuar luftën e huaj, të shuajë luftën civile. Kjo është dëshira e thellë e shpirtrave tanë. Franca në këtë kohë po i tregon botës mikpritjen e saj, le t’i tregojë edhe mëshirën e saj. Mëshirën ! Le ta vendosim këtë kurorë në kokën e Francës ! Çdo festë është vëllazërore; një festë që nuk fal dikë nuk është një festë. (Emocion i fortë. – Bravo të dyfishuara.) Logjika e gëzimit publik është amnistia. Le të jetë ky fundi i këtij solemniteti të admirueshëm, Ekspozita Universale. Pajtim ! pajtim ! Sigurisht, ky takim i gjithë përpjekjes së përbashkët të njerëzimit, ky takim i mrekullive të industrisë dhe punës, kjo përshëndetje e kryeveprave mes tyre, duke u përballur dhe krahasuar njëra-tjetrën, është një spektakël i madh ! por ka një spektakël ende më të madh, është mërgimtari që qëndron mbi këmbë në horizont dhe atdheu që i hap krahët! (Brohoritje e gjatë; anëtarët francezë dhe të huaj të Kongresit që rrethojnë oratorin në estradë vijnë ta urojnë dhe t’i japin dorën, midis duartrokitjeve të përsëritura nga e gjithë salla).