Vendoset gurthemeli i objektit të Fakultetit Ekonomik në Bujanoc  (Foto & Video)
Lokale

Vendoset gurthemeli i objektit të Fakultetit Ekonomik në Bujanoc (Foto & Video)

03.Feb.2015 16:35
0

Në prani të zyrtarëve ndërkombëtar të akredituar në Beograd dhe atyre vendor, sot në Bujanoc është vendosur gurthemeli i godinës së Fakultetit Ekonomik të Suboticës, paralelja në Bujanoc.

Tre studentët nga komuniteti që jeton në këtë komunë hodhën nga një lopatë me beton në shenjë fillimi të ndërtimit të objektit të fakultetit të shumëpritur.

Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, me rastin e hapjes së ceremonisë, tha se ndjen kënaqësi shpirtërore për fillimin e ndërtimit të këtij objekti të dijes.

“Me fillimin e ndërtimit të këtij objekti të arsimit të lartë ne po e mbyllim një burg”, u shpreh Arifi.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit teknologjik të Serbisë, Srgjan Verbiq, përveç që uroi studentët dhe profesorët, theksoi se hapja e shkollave të reja dhe fakulteteve për çdo bashkësi, posaçërsisht për vende siç është Bujanoci, gjithmonë është një lajm i mirë.

“Fakultetet jo vetëm që i ngrisin të rinjtë, ato stimulojnë edhe zhvillimin, sjellin investime duke krijuar mundësi të reja”, tha ministri Verbiq, raporton portali informativ Titulli.com.

Astrit Tors, Komisare e lartë e OSBE-së për pakica kombëtare, ngjarjen e sotme tha se do ta marrë si shembull në të gjitha vendet anëtare të OSBE-së se çka mund të arrihet kur egzistonë një marrëdhënie e mirë.

“Ky vend ndërtimi i sotshëm tregon se çka mund të bëjë vizioni i përbashkët dhe bashkimi i resurseve. Shpesh idetë e mira nuk mund të dalin nga sallat e konferencave, sot po shohim se çka mund të ndodhë kur jemi të gatshëm që fjalët e mira t’i shëndrrojm në vepra”, nënvizoi Komisarja Tors.

 Për shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi Michael Davenport sot ishte një ditë e gëzuar.

“Fakti që sot mund të shënojmë fillimin e punimeve tregon se bashkimi dhe durimi kanë forcën e tyre dhe japin rezultate konkrete”, tha Davenport.

Peter Burkhard, ambasadorë i OSBE-së në Serbi theksoi se ceremonia e sotme zyrtare e vendosjes së gurthemelit është kulminacioni i një pune të vështirë ndër vite për të arritur tek një arsim i lartë multietnik dhe shumëgjuhësh në Jug të Serbisë.

Edhe dekani i Fakultetit Ekonomik në Suboticë Nenad Vunjak përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për angazhimin e tyre në ndërtimin e këtij objekti modern.

Kurse, kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, nënvizoi se objekti i fakultetit do të jetë gati në muajin tetor. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë siç tha Stankoviq “përgjegjësin do t’a mbajnë punëkryesit”.

Në këtë ceremoni sot mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka, i cili edhe pse ishte në mesin e delegacioneve të larta që morën fjalën, ai nuk ishte paraparë që të përshëndes masën e grumbulluar të studentëve dhe qytetarëve.

Gjithashtu vlen theksuar se përveç kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, si dhe kryetarit të Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, në këtë ditë të rëndësishme për qytetarët e këtij rajoni nuk ishin ftuar edhe dy deputetët shqiptar, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.

 

Kur u hap në Bujanoc paralelja e Fakultetit Ekonomik të Suboticës?

Vendimi për hapjen e Fakultetit Ekonomik në Bujanoc është marrë në tetor të vitit 2011, në kohën kur komuna e Bujanocit drejtohej nga kryetari i atëhershëm Shaip Kamberi, tani deputet në Parlamentin e Serbisë, ndërsa në nëntor po të atij viti, ka filluar funksionimin me gjeneratën e parë prej 69 studentëve.

Sot, në këtë fakultet studimet i zhvillon gjenerata e katërt me rreth 350 studentë shqiptarë, serb e romë, ndërsa ambientet në të cilat zhvillohen ligjëratat janë në godinën e shtëpisë së kulturës në Bujanoc.

Ndërtimi i objektit të ri dedikuar këtij fakulteti do të kushtojë rreth 1,5 milionë euro, ku pjesën më të madhe të mjeteve i ka siguruar BE dhe Qeveria e Zvicrës,  përmes programit “Progresi Evropian” me një shumë prej 1,2 milion euro, Trupi Koordinues me rreth 30 milion dinarë, ndërsa pjesën tjetër komuna e Bujanocit.

Vlen theksuar se fillimi i punimeve për godinën e objektit të Fakultetit Ekonomik të Suboticës, paralelja në Bujanoc, kryetarit i komunës së Bujanocit Nagip Arifi e pat paralajmëruar që të filloj në vitin 2013-të, mirëpo kontesti rreth pronësisë së truallit ku sot filluan punimet, përballë Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc, ka shtyrë me vite nisjen e punimeve.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar ky objekt do t’i jepet pa pagesë në shfrytëzim Fakultetit Ekonomik të Suboticës për një periudhë 16 vjeçare./Titulli.com/

VIDEO

 

 
 

 

I humbin dokumentet në Bujanoc, kërkon ndihmën tuaj
Albina nga Lugina e Preshevës, fal protestës së gjermanëve nuk dëbohet për në Beograd
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration