Vazhdon trendi i dhënies së shtetësisë për rusët në Serbi
Rajoni dhe Politika

Vazhdon trendi i dhënies së shtetësisë për rusët në Serbi

22.Aug.2023 10:58
0

Nga dhjetë pasaporta serbe, të lëshuara për shtetas të huaj në vitin 2023, rreth gjashtë të tilla u dhanë për shtetasit ose shtetaset e Rusisë.

Këtë e tregon analiza e Radios Evropa e Lirë (REL).

Në këtë mënyrë, trendi i dhënies së shtetësisë së Serbisë për shtetasit rusë nga viti 2022 vazhdoi edhe në vitin 2023.

Analiza përfshin vetëm ato shtetësi të dhëna nga Qeveria e Serbisë, sipas procedurës së veçantë.

Vendimet e Qeverisë janë publikuar në Gazetën Zyrtare, nga ku REL-i ka marrë të dhënat.

Të dhënat për shtetësitë që jepen sipas procedurës së rregullt dhe të vendosura nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, nuk janë publike.

Në vitin e pushtimit rus të Ukrainës, qindra mijëra rusë kërkuan qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Serbi, disa për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Moskës, të cilat i penguan ata të punonin për kompanitë perëndimore, disa për shkak të frikës nga mobilizimi.

Serbia, ndonëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka fluturime të drejtpërdrejta me Moskën.

 

Pavarësisht thirrjeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, Beogradi zyrtar nuk i ka shkëputur lidhjet e veçanta me Kremlinin edhe një vit e gjysmë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës fqinje.

Në shtatë muaj të vitit 2023, gati i njëjti numër si në të gjithë vitin 2022

Në vitin 2022, numri i shtetasve të Rusisë të cilët morën pasaportë serbe u trefishua në krahasim me vitin para pushtimit.

Përderisa në vitin 2021 ishin 17 shtetas të Rusisë që morën shtetësinë e Serbisë, në vitin 2022, ishin 50 të tillë.

Trendi vazhdoi edhe në vitin 2023 dhe deri në gusht të këtij viti, shtetësinë e Serbisë e kanë marrë 43 shtetas rusë.

 

Vetëm në shtatë muajt e parë, numri i shtetasve rusë që kanë marrë nënshtetësinë e Serbisë është gati se i njëjtë me numrin e të gjithë vitit të kaluar.

Ligji për shtetësinë i mundëson Qeverisë së Serbisë të japë shtetësinë me procedurë të veçantë, në kushte të caktuara.

Siç përcaktohet në ligj, sipas asaj procedure, shtetësia jepet nëse “pranimi në shtetësi do të përfaqësonte interes” për Serbinë.

Qeveria serbe miraton vendimin me propozim të ministrisë kompetente dhe vendimi botohet në Gazetën Zyrtare.

Rusë me pasaporta serbe, më shumë se të gjitha nacionalitet e tjera së bashku

Sipas vendimeve të Qeverisë së Serbisë, të publikuara në Gazetën Zyrtare, deri më 21 gusht, shtetësinë e Serbisë e kanë pranuar 73 shtetas të nacionaliteteve tjera.

Shumica e tyre janë nga Rusia (43), ndërkaq shtetësinë serbe e kanë pranuar edhe shtetas nga Siria, Iraku, Bosnjë e Hercegovina, Turqia, Shtetet e Bashkuara, Kuba dhe vende të tjera.

Në listën e qytetarëve të Rusisë, të cilëve Qeveria serbe u ka dhënë shtetësinë në vitin 2022, ka kryesisht sportistë dhe biznesmenë, për çka tashmë REL-i ka raportuar.

Serbia si strehë

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, qindra mijëra rusë kanë kaluar nëpër Serbi, e cila ka mbetur e hapur për qytetarët rusë, të cilët nuk kanë nevojë për vizë hyrëse.

Kjo u intensifikua veçanërisht nga fakti se në shtator të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për mobilizim të pjesshëm në vend.

Sipas të dhënave të 15 majit të këtij viti, të cilat Ministria e Punëve të Brendshme serbe ia ka ofruar REL-it, në Serbi po qëndrojnë gati 30.000 shtetas të Rusisë, në bazë të miratimit të qëndrimit të përkohshëm.

Shumë prej tyre i zhvendosën bizneset e veta në Serbi, kështu që paralelisht me rritjen e numrit të rusëve u rrit edhe numri i kompanive ruse.

Deri në publikimin e këtij teksti, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se sa shtetas rusë aktualisht kanë leje qëndrimi në Serbi.

Dy rrugë për shtetësinë serbe

Sipas Ligjit për shtetësinë, shtetasit e huaj mund të marrin nënshtetësinë e Serbisë në dy mënyra.

I huaji, të cilit i është dhënë qëndrimi i përhershëm në Serbi, me kërkesë personale, mund të marrë nënshtetësinë, me kusht që të jetë mbi 18 vjeç dhe i aftë për punë.

Gjithashtu, kushti është që ai të ketë lirim nga shtetësia e huaj, tre vjet qëndrim të vazhdueshëm të regjistruar në Serbi, si dhe të ketë dorëzuar një deklaratë me shkrim se Serbinë e konsideron shtet të tij.

Për pranimin e shtetësisë së Serbisë vendos Ministria e Punëve të Brendshme. Këto të dhëna nuk janë të qasshme për publikun.

Sipas nenit 19 të të njëjtit ligj, shtetësinë e Serbisë mund ta marrë edhe i huaji, i cili nuk i plotëson kushtet e kërkuara, por pranimi në shtetësi i të cilit do të “paraqiste interes” për Serbinë.

“Për mua, sot Serbia është si shtëpi”

Lev, 27-vjeçar, shkoi nga Rusia në Serbi rreth një vit më parë, nga frika e mobilizimit dhe mbylljes së kufirit.

Me profesion është programues dhe siç tha në një intervistë për REL-in, në Beograd punon për një kompani të madhe perëndimore të teknologjisë informative.

Fakti që ai nuk kishte nevojë për vizë hyrëse në Serbi, ishte një nga arsyet kryesore pse ai zgjodhi këtë vend.

“Është shumë e përshtatshme për ne [rusët] që mund të qëndrojmë këtu pa viza. Gjithashtu, mendoj se është mjaft e lehtë të marrësh një leje qëndrimi, qoftë edhe të përkohshme, ndërkaq, pas një kohe edhe të përhershmen”, tha Lev.

I pyetur se si tash, një vit më pas, e percepton Serbinë, ai tha:

“Mendoj se tani, për mua është si shtëpi. E dua Beogradin dhe vendbanimin tim. I dua njerëzit që janë kaq të ngrohtë dhe mikpritës. Të gjithë qeshin, gjë që është kontrast në raport me Rusinë”.

Lev deklaroi se është duke mësuar gjuhën serbe dhe se planifikon të qëndrojë në Serbi për një kohë të gjatë.

 

Rusët, si një pakicë kombëtare në rritje

Në regjistrimin e popullsisë të mbajtur në tetor të vitit 2022, numri i rusëve është trefishuar në krahasim me regjistrimin e mëparshëm të vitit 2011.

Statistikat zyrtare të regjistrimit përfshijnë më shumë se 10.000 qytetarë që u deklaruan si rusë.

Kjo bëri që ata të radhiten si komuniteti pakicë i 16-të më i madh në Serbi. Për krahasim, në vitin 2011 ata ishin të radhitur si të 20-ët në radhë për nga numri i tyre.

Në regjistrimin e vitit 2022, janë regjistruar të gjithë ata shtetas, të cilët në Serbi banojnë një vit ose më pak, por me qëllimin që të qëndrojnë për një kohë në vend.

Ndryshimet ligjore si lehtësim për marrjen e shtetësisë

Qeveria e Serbisë ka përgatitur ndryshime në Ligjin për shtetësinë, të cilat, nëse miratohen nga Kuvendi, mund të lehtësojnë procedurën, me të cilën shtetasit e huaj mund të pajisen me pasaportë serbe pas tre vjetësh të qëndrimit të përhershëm.

Sipas faqes në internet të Kuvendit të Serbisë, Qeveria, më 5 maj, ua ka dërguar deputetëve për shqyrtim ndryshimet e propozuara.

Nuk dihet ende se kur do të jenë në rend të ditës, në seancë parlamentare, ndryshimet e propozuara.

Ndaj njoftimit për ndryshime në ligj ka reaguar BE-ja, në të cilën Serbia synon të anëtarësohet.


Brukseli njoftoi, në maj, se regjimi pa viza që Serbia ka me BE-në mund të kërcënohet nëse Serbia miraton procedura të thjeshtuara për marrjen e shtetësisë.

Fakti që regjimi pa viza i Serbisë me BE-në u kërcënua, u hodh poshtë nga Ministria e Integrimeve Evropiane e Serbisë.

Përgatiti: Bekim Bislimi-REL
Lufta e Rusisë në Ukrainë, “Zvicra është pjesë e problemit”
Tetë pikat e deklaratës së përbashkët të nënshkruar në Athinë nga liderët e Ballkanit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration