Vazhdojnë protestat masive në Serbi, kërkohet dorëheqja e Vuçiç-it (foto)
Në Beograd është duke u mbajtur protesta e pestë e opozitës serbe. Slogani i kësaj proteste është i njëjtë sikur i atyre të mëparshme: “Serbia kundër dhunës”, kjo pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Serbi, ku u vranë dhjetar persona.
Protestuesit serbë janë mbledhur në ora 18:00 para Kuvendit të Serbisë, derisa qarkullimi i rrugëve është ndërprerë, raportojnë mediat serbe.
Në këtë protestë po marrin pjesë dhjetëra mijëra qytetarë serbë, të frustruar me reagimin e institucioneve shtetërore serbe pas ngjarjeve tragjike.
Një nga pankartat që është parë më së shumti në këtë protestë ka pasur mbishkrimin “Vuçiç po largohet”, madje këso pankartash janë ngritur në ajër përmes balonave me helium në mënyrë që të kjo kërkesë të jetë më e theksueshme.
Pra, një nga kërkesat e protestuesve serbë është edhe dorëheqja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Përveç kësaj, në mesin e kërkesave është edhe dorëheqja e drejtorit të policisë serbe, Bratislav Gashiç, dhe e drejtorit të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë serbe (BIA), Aleksandër Vulin.
Ata janë duke kërkuar edhe zëvendësimin e trupit rregullativ për mediat elektronike, mbylljen e tabloideve që, sipas tyre, bëjnë thirrje për dhunë, dhe për tërheqjen e frekuencave për televizionet “Pink” dhe “Happy”.
Ndryshe, kjo është protesta e pestë me radhë e opozitës serbe, që po mbahen që nga 8 maji. Protesta e katër u mbajt të shtunën e kaluar, vetëm një ditë pas “anti mitingut” të Partisë Progresive Serbe, e cila deri në atë ditë udhëhiqej nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Për protestat e opozitës serbe kanë folur presidenti serb, si dhe kryeministrja, Ana Brnabiç, duke i kundërshtuar fuqishëm protestat, madje ata kanë kontestuar edhe qëllimin e tyre.
“Unë u them qytetarëve të Serbisë që të mos besojnë në gënjeshtra, dezinformata dhe përpjekje për të krijuar kaos në Serbi nga shërbimet e huaja. Kjo është e gjitha që po ndodh drejtpërdrejt nga shërbimet e huaja, gjithçka që po ndodh është destabilizimi i drejtpërdrejtë i Serbisë”, pretendoi Brnabiç.
Njëjtë sikur Brnabiç mendon edhe Vuçiç, se në organizimin e këtyre protestave “kanë gisht shërbimet e huaja”.
Ndryshe, të shtunën e 27 majit, mijëra persona protestuan në qendër të Beogradit nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.
Kjo protestë ishte thirrur po ashtu nga opozita dhe ishte e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë serbe pas dy sulmeve që kishin ndodhur në maj, kur u vranë 18 persona.
Në mënyrë që protestuesit të mund të vazhdonin marshimin e tyre drejt ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë, rrethojat mbrojtëse të vendosura jashtë ndërtesës së Kuvendit serb u lëvizën.
Arsyeja përse protestuesit vazhduan drejt kësaj ndërtese është që ky televizion të raportonte për këtë protestë.
Se protesta ka qenë e përmasave të mëdha është bërë e ditur edhe në rrjetin social ‘Twitter’ nga videot e publikuar nga qytetarët.
Protestuesit paraqiten një sërë kërkesash, përfshirë edhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bratisllav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin.
Ndërsa, në protestën e tretë me radhë që u mbajt para dy jave, aktivistët e opozitës serbe, pesë orë pas fillimit të protestës filluan ngritjen e tendave në autostradë, duke e kaluar natën atje, si shenjë e demostrimit të revoltës së tyre ndaj pushtetit në Beograd.
Kjo erdhi pas thirrjes së përfaqësuesit të Partisë Demokratike Serbe, Srdan Milivojeviç, që qytetarët e mbledhur në protestë të qëndrojnë aty derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre, disa nga demonstruesit kanë ngritur tendat në autostradë, dhe kanë kaluar natën atje.
Protestuesit serbë në protestën e tretë bërtisnin: “Vuçiç, dorëhiqu”, dhe “Vuçiç, largohu”.
Po ashtu në një pankartë tjetër që po e mbanin protestuesit shkruante “Erë pranvere serbe”.