U mbajt tryeza "Nga shqiptarët ose serbët deri të shqiptarët dhe serbët" (Foto)
Rektori i Universitetit "Kadri Zeka", Arben Dërmaku, në hapje të tryezës me temën: "Nga shqiptarët ose serbët deri të shqiptarët dhe serbët ", tha se qëllimi i organizimit është që si Universitet të kontribuoj sadopak në zhvillimet politike dhe në zhvillimet e ardhshme shoqërore, në kuptimin e integrimit rajonal.“Kjo tryezë nuk ka për qëllim trajtimin e raporteve shqiptaro serbe në Kosovë, apo shqiptaro serbe në Serbi, mirëpo dëshirojmë që kjo temë të jetë gjithëpërfshirëse” tha Dërmaku në tryezën e zhvilluar në Gjilan.
Ai tha se sa i përket të ardhmes mund ta trajtohet në dy perspektiva, ta vazhdohet me raportet problematike që i kanë shqiptarët dhe serbët tani, apo ta shohin njëri tjetrin si partner. Vetëm partneriteti i zgjidhë problemet theksoi rektori Dërmaku.
Më pas panelisti, Dushan Janjiq, analist politik nga Beogradi, në fjalën e tij tha se përmes bashkëpunimit rajonal mund të zgjidhen problemet.
Sipas tij, bashkëpunimi i serbeve dhe shqiptarëve, duke përfshirë këtu edhe normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, për Ballkanin Perëndimor ka të njëjtën peshë sikur edhe raportet gjermano – franceze për Evropën Perëndimore, e më pas për krijimin e Bashkimit Evropian. “Ndaj jam i bindur se përmes këtyre projekteve të iniciuara në Berlin, do të vazhdojmë rrugën e normalizimit” tha Janjiq duke vlerësuar iniciativën gjermane për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, raporton "2lonline".
Kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh panelist i konferencës tha se në rajon jemi të vetmit që për 15 vite janë organizuar tri konferenca të mëdha për të përmirësuar raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, siç janë Konferenca e Rambujesë, Vjenës dhe e Brukselit, kështu që të dyja palët duhet të shikojmë kah e ardhmja perëndimore.
Në tryezë “Nga shqiptarët ose serbët deri të shqiptarët dhe serbët ” kontribuuan me diskutimet e tyre, Riza Halimi, Jonuz Musliu, Ragmi Mustafa, Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Nexhemdin Spahiu, Flora Kadriu, Ismajl Kurteshi, Azem Vllasi, Flamur Hyseni, Kemajl Kurteshi etj.
Përfaqësuesit e Luginës, thanë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve derisa nuk ka trajtim të barabartë të pakicës shqiptare në Serbi me pakicën serbe në Kosovë.
Pas debatit dolën edhe konkludimet e konferencës që janë:
- duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe partneritet mes shqiptarëve dhe serbëve,
- domosdoshmëria e dialogut,
- etnitetet në cilindo shtet duhet të kenë të drejta të barabarta,
- integrimi i tërë rajonit në Evropë që për shqiptarët dhe serbët duhet të jetë i njëkohshëm duke tejkaluar problemet ndër fqinjësor.
/Titulli.com/