Lugina dhe Kosova, dobia nga marrëveshja për polisat e sigurimit?
Në kuadër të dialogut ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është arritur dhe nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të polisave të sigurimit të automjeteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nën lehtësimin dhe garantimin e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Byrove Evropiane.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në prezencë të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Kjo marrëveshje e iniciuar me insistimin e madh të palës së Kosovës ka qenë pjesë e diskutimeve të vazhdueshme që nga fillimi i vitit 2013 dhe siç ka deklaruar ministrja për Dialog znj. Edita Tahiri, ky është edhe një hap drejt vendosjes së mirëfilltë dhe të civilizuar të sistemit të kalimeve kufitare në mes të dy shteteve asaj të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrisë.
Me këtë marrëveshje, sipas kësaj komunikate, mundësohet njohja e ndërsjellë e sigurimeve të automjeteve të të dyja vendeve, ku automjetet e regjistruara në Kosovë do të mund të kalojnë në territorin e Serbisë me sigurimin MTPL, ndërsa automjetet e regjistruara në Serbi do të mund të kalojnë në bazë të sistemit të Kartonit të Gjelbër.
“Në këtë mënyrë hiqet edhe një barrierë e padrejtë drejt lirisë dhe lehtësisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës”, theksohet në komunikatë.
Më tej thuhet se me këtë marrëveshje, po ashtu, mundësohet vendosja e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Asociacionit të Siguruesve të Serbisë. Për më tepër, thuhet se Byroja Kosovare e Sigurimeve avancon marrëdhëniet dhe qëllimin e saj drejt anëtarësimit në Byronë e Kartonit të Gjelbër.
“Kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës pasi që mundëson uljen e çmimeve të kalimeve kufitare me automjete në masë të madhe, ku në praktikë nënkupton të njëjtin sistem të kalimeve kufitare dhe të njëjtës tarifë që zbatohet me Republikën e Maqedonisë”, thotë komunikata e Kryeministrisë.
Po ashtu me këtë marrëveshje thuhet se avancohet zbatimi i marrëveshjeve të Lirisë së Lëvizjes dhe Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM) si dhe avancohet dhe mundësohet kontroll më i mirë nga policët, doganierët dhe agjencionet tjera kufitare të kufirit shtetëror të Kosovës.
“Një nga të arriturat kryesore të kësaj marrëveshje është mundësia e lëvizjes së lirë të qytetarëve të dyja vendeve pa barrierat e padrejta dhe shumë të kushtueshme. Në këtë mënyrë si shqiptarët e të dy anëve të kufirit, po ashtu edhe serbët do të jenë më të lirë dhe ta kenë më të lehtë thellimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve familjare. Kjo marrëveshje do të shërbej si një urë lidhje e qytetarëve, komuniteteve dhe shteteve në mes veti përkundër mentalitetit të urave ndarëse”, u shpreh Tahiri në takim.
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje Qemajl Marmullakajn, koordinator i çështjes së Sigurimeve, Rrahim Pacolli udhëheqës i delegacionit në nivelin teknik dhe kryetar i Asamblesë së Sigurimeve, dhe Faton Abazi, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve. /Titulli.com/