Lokale
KKSH: Ministria zvarritë botimin e librave shqipe për Luginën
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Shqiptarë të zhvilluar sot në Bujanoc me drejtorët e shkollave fillore të komunës së Bujanocit dhe Preshevës u bisedua për sigurimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për shkollat fillore, raporton Titulli.
Në këtë takim u tha se numri i teksteve të siguruar për fillimin e vitit të ri shkollor në shtator është për 42 lëndë mësimore.
Kryetari komisionit për arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm Zejni Fejzullahu tha se në masë të caktuar janë përmirësuar kushtet sa i përket sigurimit të teksteve me mësime në gjuhën shqipe. Ai përveç 42 teksteve të siguruar shpjegoi se në procedurë janë edhe 16 tekste shkollore që pritet që shumica prej tyre të jenë të gatshme nga shtatori i këtij viti.
“Fatkeqësisht në vitin e ardhshëm për 35 lëndë mësimore nuk do të kemi tekste në gjuhën shqipe”, tha Fejzullahu.
Duke komentuar bashkëpunimin me Ministrinë e arsimit dhe shkencës së Serbisë, kryetari i këtij komisioni për arsim pranë KKSH-së, tha se nuk është aq sa duhet.
“Fatkeqësisht bashkëpunimin nuk e kemi aq sa duhet, mirëpo ne kemi pas disa takime me përfaqësuesit e ministrisë së arsimit, gjithnjë na kanë pritur mirë, por ajo çka është ma esenciale, botimi i teksteve me mësim në gjuhën shqipe gjithnjë zvarritet, pra gjinden modalitete të ndryshme në mënyrë që të bëhet një vonesë”, tha mes tjerash Fejzullahu.
Mbledhjet e komisionit për arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm janë të rregullta dhe në mes tjerash kanë për qëllim furnizimin me tekste mësimore në gjuhën shqipe të nxënësve shqiptarë që mësojnë në shkollat e Luginës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!