Intervista
Intervista e plotë e kryeministrit Thaçi duke folur për lapidarin dhe liderët e Luginës
Është zhgënjim dhe turp i madh që liderët politikë dhe qytetarët e Luginës së Preshevës nuk bënë as edhe përpjekjen më të vogël për mbrojtjen e Monumentit të UÇPMB’së. Unë i udhëzova ata se si të veprojnë. Me këto veprime, Serbia po e demonstron dëshirën e saj për shkëmbim territoresh. Madje, këtë ide Ivica Dacic e ka përmendur edhe në Bruksel. Por ne i kemi planet dhe strategjitë tona me të cilat do t’i mundim ata. Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës, flet për Express.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për Gazetën Express, lidhur me ngjarjet e fundit në Luginën e Preshevës dhe bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.
Ai shfaqet i zhgënjyer me mosveprimet e shqiptarëve të atjeshëm për mbrojtjen e monumentit, e po aq i indinjuar tregohet edhe me veprimet e dhunshme ndaj varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë.
Sipas tij, veprimet e fundit të Qeverisë serbe janë pjesë e skenarit për shkëmbim territoresh, derisa tregon se edhe Qeveria që ai drejton ka hartuar dokument dhe strategji për t’iu përgjigjur Beogradit.
Express: Si e komentoni deklaratën e Kryeministrit Dacic se Serbia ka qenë e gatshme të diskutojë për opsionin e shkëmbimit të territoreve, pra Veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës...
H. Thaçi: Të gjithë ata që kanë njohuri elementare për politikën e Serbisë kundrejt Kosovës e kanë të qartë se opsioni i këmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është njëri prej skenarëve të parapëlqyer të Serbisë. Ky skenar është jashtëzakonisht i preferuar për Serbinë sidomos në këtë fazë, kur është e qartë se skenari i Serbisë për ndarjen e Kosovës juridikisht dhe praktikisht është pamundësuar pas aksionit të vendosur të Qeverisë së Republikës së Kosovës të 25 korrikut të vitit të kaluar për sigurimin e tërësisë territoriale të Kosovës.
Express: Pra, Dacic e ka ofruar si opsion shkëmbimin e territoreve gjatë takimeve në Bruksel?
H. Thaçi: Është e vërtetë që ai e ka ofruar shkarazi këtë opsion disa herë, e ka thënë edhe publikisht, mirëpo ky opsion është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga ana ime dhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse këmbimi i territoreve me Serbinë shkon krejtësisht në dëm të interesave strategjike nacionale të Kosovës. Për më tepër, një opsion i tillë është edhe në kundërshtim të plotë me interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Express: Nga kjo që po thoni po nënkuptohet se Serbia, përveç platformës së saj, rezolutës së miratuar me të cilën kërkohet autonomi për Veriun, ka edhe skenarë të tjerë, të cilët është duke i përdorur dhe të cilët nuk janë bërë publikë?
H. Thaçi: Natyrisht se po, dhe do të ishte naive të mendohej ndryshe. Planet publike, qofshin ato platforma apo rezoluta zakonisht përpilohen për konsum të brendshëm, për të kënaqur kërkesat e partive opozitare dhe pritjet e elektoratit. Në negociata serioze, rrallë ndodh që dokumentet që janë bërë publike të shtrohen në tryezë të bisedimeve. Po të ishte ndryshe, atëherë nuk do të kishte nevojë fare për negociata. Do të mjaftonte që njëra dhe tjetra palë të bënin publike platformën e tyre dhe ndërmjetësi i negociatave të ofronte një zgjidhje përfundimtare, e cila do të reflektonte deri diku pozicionet e dy palëve. Por kjo nuk ndodh në praktikat e negocimit ndërkombëtar. Secili shtet mundohet të nxjerrë maksimumin gjatë negociatave dhe kjo arrihet duke përdorur strategji adekuate për të cilat nuk është në dijeni pala tjetër.
Express: A ka pala kosovare dokumente dhe strategji, e të cilat nuk janë bërë publike?
H. Thaçi: Do të ishte absurde dhe e pafalshme edhe vetëm të mendohet se Kosova nuk ka strategjitë e saj të përgatitura mirë për të gjitha çështjet që diskutohen në Bruksel. Fundja, marrëveshjet e arritura deri më tani, të gjitha janë rezultat i punës së madhe paraprake të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ekipeve që janë të përfshira drejtpërdrejt në këtë proces.
Unë vetëm mund të përsëris se jemi shumë të përgatitur për këtë proces dhe jemi të sigurt në epilogun e tij në dobi të Kosovës.
Express: Të kalojmë te veprimi i fundit i Serbisë: heqja e monumentit të UÇPMB’së në Preshevë. Pse nuk u hoq monumenti para datës 17 janar, meqenëse Kryeministri serb kishte vënë ultimatum datën 16 janar, pra një ditë para raundit të katërt të bisedimeve në Bruksel?
H. Thaçi: Unë mendoj se heqja e monumentit të dëshmorëve të UÇPMB’së është një akt i shëmtuar dhe qyqar që është bërë nga Serbia. Ky veprim nuk justifikohet në asnjë mënyrë. Mirëpo, Serbia e ka bërë këtë veprim të shëmtuar për një qëllim tjetër nacional më të madh. Dhe ky qëllim nuk ndërlidhet vetëm me urrejtjen që mund të ketë Qeveria e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ky qëllim ndërlidhet drejtpërdrejt me skenarin e këmbimit të territoreve që e përmenda më lart. Prandaj, të gjitha veprimet që kanë pasur pas heqjes së monumentit janë të dëmshme për Preshevën, por janë jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën.
Express: Ju po thoni se heqja e monumentit është pjesë e skenarit të Serbisë për ta bërë politike çështjen e Luginës së Preshevës, me qëllim që ajo të shtrohet si çështje në negociatat që po zhvillohen në Bruksel?
H. Thaçi: Pikërisht ky është qëllimi i Serbisë. Të sqarojmë pak më thellë këtë sepse një pjesë e opinionit publik, grupe të ndryshme politike të rrëmbyera shpesh nga ethet e patriotizmit po dështojnë të gjykojnë drejt në momentet kritike. E thashë më lartë se Serbia ka disa skenarë të fshehtë për Kosovën. I pari dhe me i preferuari, ai i ndarjes së Kosovës ka dështuar dhe është i tejkaluar. Skenari i dytë i preferuar nga Serbia është skenari i këmbimit të territoreve. Ky skenar, edhe pse për Qeverinë e Kosovës, është i tejkaluar, ai ende po mundohet të vihet në skenë nga veprimet strategjike të Serbisë, dhe reagimet euforike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo. Ne nuk guxojmë të lejojmë që Serbia të imponojë skenarët e saj. Ne duhet të forcojmë skenarët tanë që e forcojnë shtetësinë e Kosovës. Sepse vetëm shteti i fortë i Kosovës është garanci për të drejtat legjitime të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Express: Kjo i bie që Serbia ka qenë e vetëdijshme se heqja e monumentit në Preshevë do të ngjallë reagime të tilla në Kosovë?
H. Thaçi: Absolutisht e saktë. Pikërisht edhe për këtë arsye Dacic nuk e ka hequr monumentin me datën 16 janar. Ka pritur të mbahet takimi i 17 janarit në të cilin Serbia është detyruar të bëjë një koncesion shtesë ndaj Kosovës për pranimin e sistemit tonë doganor, të administratës tatimore dhe të regjistrimit të bizneseve. Dacici i vetëdijshëm për efektin e kësaj marrëveshje në opinionin publik në Serbi dhe te serbët e Veriut, ka bërë veprimin taktik të heqjes së monumentit në Preshevë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik serb dhe njëherësh për të ri-aktualizuar skenarin e shkëmbimit të territoreve. Nëse ju kujtohet, mediet e Serbisë që kontrollohen nga Qeveria e atjeshme kanë paralajmëruar se do të ketë reagime dhe veprime të tilla në Kosovë edhe përpara se të demoloheshin disa nga varrezat që i takojnë komunitetit serb në Kosovë.
Express: Po si e komentoni mungesën e përpjekjes më të vogël qoftë nga përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, qoftë nga qytetarët që jetojnë atje për mbrojtjen e atij monumenti?
H. Thaçi: Me keqardhje e them, mirëpo ajo çfarë kam parë të ndodhë në momentin e heqjes së monumentit në Preshevë është një zhgënjim dhe turp i madh për shqiptarët kudo që jetojnë. Për ditë të tëra me radhë, opinioni publik ka qenë i bombarduar me deklarata patriotike nga të gjitha viset shqiptare, nga të gjithë liderët shqiptarë kudo që janë se monumenti i dëshmorëve të UÇPMB’së do të mbrohet me çdo çmim. Unë personalisht i kam takuar udhëheqësit politikë të Preshevës në përpjekje që t’i udhëzoj ata që nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare të arrijnë një zgjidhje racionale dhe të pranueshme për çështjen e monumentit. Dhe çfarë ndodhi ditën kritike të heqjes së monumentit? Qoftë edhe një qytetar i vetëm, e lerë më liderët politikë të Luginës së Preshevës nuk u shfaqen te monumenti për të bërë përpjekjen më të vogël për ta mbrojtur atë. Ky fakt për mua, dhe besoj edhe për shumë qytetarë shqiptarë kudo lë një kujtesë të hidhur dhe të dhimbshme. Ndryshe, nuk ka si të shpjegohet mungesa elementare e ndjenjës patriotike për mbrojtjen e monumentit.
Express: Ju mendoni se liderët politikë së bashku me qytetarët është dashur të bëjnë përpjekje që ta mbrojnë monumentin?
H. Thaçi: Jo vetëm që mendoj se është dashur të bëjnë përpjekje, por mendoj se patjetër është dashur të bëjnë një gjë të tillë. Nuk duhet të lejohet që të bëhet shaka me monumente që përkujtojnë dëshmorët e kombit tonë. Në momentin kur është marrë vendimi që të ngrihet ky monument memorial, po në atë moment është dashur të merret vendimi edhe për të mbrojtur atë. Të marrim një shembull të pazakontë nga situata në veri të vendit. Atje ende ka barrikada që janë të vendosura nga strukturat paralele dhe qytetarët serbë që jetojnë atje. Një e tillë është mbi urën e lumit Ibër. Dhe a e dini se përse ende as Qeveria e Kosovës, as EULEX’i dhe as KFOR’i nuk ka munduar t’i heqë këto barrikada? Për një arsye të thjeshtë, ato ruhen 24 orë nga persona të caktuar, qytetarë serbë që jetojnë atje. Ata i mbrojnë ato barrikada me trupat e tyre, dhe natyrisht në kohën moderne, një shtet demokratik, një forcë ushtarake si NATO nuk mund të lejojë të shkelë mbi trupat e atyre njerëzve për të hequr disa tonelata gurë. Prandaj, zgjidhja kërkohet përmes dialogut.
Monumenti përkujtimor është dashur të mbrohet në mënyrë paqësore 24 orë në ditë nga qytetarët e organizuar derisa të ishte arritur marrëveshja, e cila do të ishte e pranueshme për shqiptarët atje. Serbia në asnjë rrethanë nuk do të kishte mundur që të përdorte mjetet e dhunës kundër qytetarëve të Preshevës të cilët do ta mbronin në mënyrë paqësore, por dinjitoze monumentin e tyre. Serbia nuk do të mund të përdorte dhunën për shkak të presionit të bashkësisë ndërkombëtare.
Express: Si i komentoni veprimet që ndodhën në Kosovë si reagim ndaj heqjes së monumentit në Preshevë?
H. Thaçi: Unë e kuptoj frustrimin dhe indinjatën që ka shkaktuar Serbia duke hequr monumentin në Preshevë. Ai akt i Serbisë ka qenë i shëmtuar, i turpshëm dhe qyqar. Mirëpo, fatkeqësisht të turpshme dhe qyqare janë edhe aktet vandale të shkatërrimit të varrezave të serbëve dhe përmendoreve, që jo domosdo janë pjesë e trashëgimisë serbe, sikur ajo që u rrënua në Viti. Këto veprime janë të papranueshme dhe nuk përkojnë me traditën dhe kulturën tonë shqiptare. Si të tilla duhet të ndërpriten menjëherë dhe Qeveria duhet të ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për mbrojtjen e tyre. Nëse deri dje shqiptarët janë shquar për bujari, tolerancë fetare dhe ndëretnike, nuk ka asnjë arsye që këto tradita të mira të rrënohen brenda natës. Unë i ftoj qytetarët e Kosovës që të përmbahen nga veprime të tilla që e rrënojnë imazhin e shtetit të Kosovës dhe i mundësojnë Serbisë të fitojë kredibilitet në arenën ndërkombëtare.copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/01/Thaci.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!