Zëvendëskryeministri i Kosovës, Kujtim Shala, viziton për herë të parë Luginën e Preshevës (foto/video)
Lokale

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Kujtim Shala, viziton për herë të parë Luginën e Preshevës (foto/video)

08.Jan.2016 17:00
0
Ministri i kulturës, rinisë dhe sporteve, Kujtim Shala, i cili njëherit është zëvendëskryeministër i Kosovës, vizitoi sot për herë të parë Preshevën dhe Bujanocin.

Zëvendëskryeministri Shala me këtë rast u takua me kryetarët e dy komunave, Ragmi Mustafën e Nagip Arifin, kryetarin e KKSH-së, Jonuz Musliun, si dhe me dy deputetët shqiptarë në parlamentin e Serbisë, Riza Halimin e Shaip Kamberin.

Gjatë vizitës së sotme ministri kosovar i kulturës nënshkroi memorandume bashkëpunimi me komunat e Bujanocit dhe Preshevës, që u vlerësuan si një hap i mirë dhe fillim i mbarë drejtë bashkëpunimit të Luginës së Preshevës me Kosovën në këtë fushë.

Bashkëpunimi ka ekzistuar edhe më herët, por sot zyrtarisht kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi. Shpresoj që në të ardhmen qeveria e Kosovës dhe ministritë tjera do të kenë përkujdesje më të madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës,tha kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Memorandumet e bashkëpunimit janë dy akte të rëndësishme sepse formalizojnë raportet në nivel institucional. Memorandumet nënkuptojnë bashkëpunimin në fushën e politikave të librit, bibliotekave dhe aktiviteteve kulturore, tha zv.kryeministri Shala.

Ai shtoi se për pjesën operative do të emërohen koordinatorët, ndërsa pjesën financiare do ta mbulojë qeveria e Republikës së Kosovës.

Është një fillim i mbarë i këtij viti pasi këtu kemi qeverinë e Republikës së Kosovës, që tregon se shqiptarët nuk janë vetëm, tha kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu pas takimit me ministrin Shala, duke shtuar se “shqiptarët e Luginës kërkojnë vetëm reciprocitet me serbët e Kosovës”.

Në anën tjetër Shala tha se në takim me Musliun janë dakorduar që javëve në vijim do të punojnë në përgatitjen e një marrëveshje bashkëpunimi në mes qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Nacional Shqiptar.

Ky takim paraqet një kthesë dhe besoj që do të vazhdojë me memorandume të ngjashme në fusha tjera që janë në interes të shqiptarëve të Luginës. Biseduam për të gjithë problemet me të cilët ballafaqohen shqiptarët e këtij rajoni, tha deputeti Riza Halimi pas takimit me Shalën.  

Zv. kryeministri Shala gjatë vizitës së sotme ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, si dhe nga shefi i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku./Titulli.com/

VIDEO

Arifi: Partitë aktuale në Luginë janë diktatoriale me qytetarët, Presheva pa ide ekonomike (video)
Përpjekjet e Titulli.com japin rezultatet e para në institucionet shtetërore në Serbi, gjuha shqipe pjesë e postave në Luginë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration