Sistemi serb që regjistron edhe rënien e gjetheve në kufi!
Pas vrasjes së pjesëtarit të xhandarmërisë në zonën kufitare me Kosovën është aktualizuar vendosja e sistemit për kontrollim në jug të Serbisë. Projekti "Ndërprerja", punë e ekspertëve nga Serbia, mundëson që në kohë reale të regjistrohet çdo lëvizje madje edhe rënia edhe e një gjethi nga pemët.Ky sistem multisenziorësh sipas ekspertëve do të ndihmonte zbulimin e aktiviteteve në zonën e sigurisë, ndërsa njëherit do të zvogëlonte edhe pjesëtarët e xhandarmërisë që nga konflikti i armatosur në Luginë të Preshevës janë stacionuar në zonën e sigurisë.
Projekti “Ndërprerja” i cili ende nuk është bërë realitet, është një sistem i ndërtuar nga ekspertët serb, që siç shkruan gazeta beogradase “Novosti” nuk ia lëshon rrugën as sistemeve të ngjashme të SHBA-së, Rusisë dhe Izraelit, transmeton Titulli.
Iniciativa për ndërtimin e këtij sistemi është marrë në muajin shkurt të vitit 2002 nga Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, mirëpo ai deri më sot nuk është realizuar në praktikë në mungesë të mjeteve.
Projekti, nën kujdesin e Institutit Teknik Ushtarak, është projektuar dhe zhvilluar nga ekspertë dhe specialistë të Ushtrisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe profesorë dhe inxhinierë nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Industrisë Elektronike në Nish.
Ishte planifikuar që sistemi i kompletuar kontrollues të mbulojë dhe mbrojë zonën kufitare me Kosovën në një gjatësi prej 478 kilometrash. “Ndërprerja” do të duhej të kishte lidhje regjionale, me qendër në Kopaonik dhe me sistemin kombëtar i cili do të vendosej në Beograd.
Ky sistem, thjeshtë përmes senzorëve mund të identifikojë çdo ngjarje në terren, edhe nëse një gjethe bie apo kalon ndonjë kafshë.
“Ky sistem zbulon dridhjet sizmike” , shpjegon dr. Vllastimir Pavlloviq, profesor në Fakultetin Elektronikë në Nish, pjesëmarrës në këtë projekt.
Sipas tij tek sistemi “Ndërprerja” nuk ekziston dilema “ka apo nuk ka”, ai regjistrojë çdo ngjarje.
Përgatitja e projektit me multisenzorë ka kushtuar rreth 60.000 euro, ndërsa realizimi i këtij sistemi në zonën kufitare mes Serbisë dhe Kosovës do të kushtojë 350.000 euro./Titulli.com/