Shporta e prodhimeve të Kosovës në dyert e Luginës
Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), kryetari Jonuz Musliu, u takua me Ambasadorin e Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku dhe zëvendësin e tij Amir Haziri.
Ambasadori Sadiku e uroi Kryetarin Musliu për zgjedhjen në krye të KKSH-së duke theksuar se avancimi dhe ndërtimi i institucioneve është i rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Është e rëndësishme që të veprohet konform rrjedhave rajonale dhe se vetëm forcimi i bashkëpunimit, mirëkuptimi i situatës politike në përqafimin e vlerave evropiane dhe adaptimi po i standardeve evropiane mund të shpie drejtë Bashkimit Evropian”, ka thënë ambasadori Sadiku, thuhet në kumtesën e lëshuar nga KKSH, transmeton Tiulli.
Kryetari Musliu e falënderoi për vizitën që po i bënë Luginës së Preshevës dhe se është shumë e rëndësishme që shteti i Kosovës të luaj një rol edhe më aktiv sa i përket shqiptarëve të kësaj treve.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës padyshim se kanë lidhje të ngushta politike, ekonomike e sociale me Kosovën dhe ne duhet të bashkëveprojmë që edhe më tej këto lidhje t’i forcojmë dhe avancojmë përmes bashkëpunimit konkret e që për qëllim kanë si lëvizjen e lire të qytetarëve si dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës për zgjidhjen e problemit politik”
Takimi kaloj në një atmosferë vëllazërore duke shkëmbyer urimet për këtë fundvit duke cilësuar që viti i ardhshëm është vendimtar dhe me impakt edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Krejt në fund, për nderë të festave të fundvitit, Ambasadori Sadiku i solli një shportë me produkte të prodhuara në Kosovë.
Delegacioni nga Kosova që po kthehej nga selia e Zyrës në Beograd për në Prishtinë, është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin. /Titulli.com/