Serbia në BE pa të drejta për shqiptarët? (Video)
Lokale

Serbia në BE pa të drejta për shqiptarët? (Video)

13.Nov.2015 08:04
0
Në një intervistë ekskluzive për portalin informativ Titulli.com flet Belgim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, me seli në Preshevë, njohës i rrethanave politike në rajon dhe gazetar me përvojë.

Ai thotë se integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë ka dështuar dhe përgjegjës kryesor është qeveria, që nuk ka shprehur vullnet për integrimin e shqiptarëve. Kamberi thotë se për shkak të mosveprimit të vetë shqiptarëve, dhe sensibilizimit jo të mjaftueshëm për shkeljen e të drejtave të tyre, Serbia po avancon drejtë Bashkimit Evropian (BE) pa plotësuar të drejtat e shqiptarëve. 

Titulli: Inkuadrimi i shqiptarëve në organet shtetërore të Serbisë është gjithnjë temë aktuale. Sa mendoni se është arritur në këtë drejtim?

Belgzim Kamberi: Integrimi, respektivisht përfaqësimi i shqiptarëve  në sistemin shtetëror të Serbisë ka qenë edhe premtimi kyq pas luftës së armatosur së UÇPMB-së dhe forcave serbe të sigurisë. Rreth 15 vite më vonë kjo është pika kryesore ku ka dështuar plani dhe programi i qeverisë së Serbisë si rezultat i Marrëveshjes së Konçulit për përfundimin e luftës. Në këtë drejtim mund të thuhet se shqiptarët janë të nënpërfaqësuar në të gjithë institucionet që nuk janë në kompetenca të pushtetit lokal. Në momentin që flitet për institucione që janë drejtpërdrejt në kompetenca republikane, por edhe ato të nivelit rajonal, në Rrethin e Pçinjës apo të Jabllanicës, kur është në pyetje Medvegja, shqiptarët janë jashtëzakonisht shumë të nënpërfaqësuar. Në anën tjetër janë të nënpërfaqësuar edhe në institucionet që janë nën kompetenca të pushtetit lokal, edhe pse është përmirësuar situata. Në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë lloj avancimi dhe adresa e përgjegjësisë është qeveria e Serbisë, e cila nuk ka treguar vullnet për t’i integruar shqiptarët, por përkundrazi ka vazhduar politikën e saj diskriminuese.

Titulli: Si kanë funksionuar subjektet politike shqiptare të Luginës lidhur me integrimin e shqiptarëve?

Belgzim Kamberi: Subjektet politike shqiptare, fatkeqësisht, pas vitit 2001, e kanë degraduar këtë temë edhe më shumë. Rritja e pushtetit simbolik në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas përfundimit të luftës ka krijuar më shumë mundësi pushteti për politikanët dhe më shumë hapësira për ata. Në këtë drejtim ka degraduar tërësisht organizimin e partive politike shqiptarë, të cilët sot jo vetëm që janë të përçara, por iu mungon cilësia, iu mungon veprimi politik, aktivizmi politik, që do të thotë që ata janë bashkëpërgegjëse për situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Këto parti politike sot nuk po kontribojnë pozitivisht,  dhe nuk po përfaqësojnë interesat dhe vullnetin e atyre që i kanë votuar, por kryesisht janë të orientuara në realizimin e klientelave dhe interesave të tyre private.

Titulli: Kur jemi tek subjektet dhe liderët politik shqiptarë, si e vlerësoni rolin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), deputetëve në parlamentin e Serbisë, Kuvendin e këshilltarëve shqiptarë?

Belgzim Kamberi: Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur më shumë përfaqësues institucional. Sot shqiptarët e Luginës kanë KKSH-në, dy deputetë, udhëheqin dy komunat, marrin pjesë në qeverisjen lokale të Medvegjës, por në anën tjetër pothuajse kurrë më shumë nuk kanë qenë të diskriminuar. Kjo nënkupton se përfaqësimi politik nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin. Përkundrazi, duket se tendenca ka qenë që shqiptarëve t’i mundësohet përfaqësimi institucional, e në anën tjetër të tkurren të drejtat e shqiptarëve. Fatkeqësisht,  në këtë drejtim prin edhe çështja e KKSH-së, i cili është njëri nga institucionet që me legjislacion parashihet që të jetë organi që avancon të drejtat e shqiptarëve në katër fusha. Fatkeqësisht edhe Raporti i Progresit dhe gjithë raportet tjera ndërkonbëtare tregojnë se KKSH nuk po arrin të senzibilizojë dhe aq më tepër të ndryshojë legjislacionin, kushtetutën, apo edhe aktet tjera nënligjore që i pamundësojnë shqiptarëve të realizojnë të drejtat e tyre. KKSH në këtë drejtim nuk është në nivel të detyrës.

Titulli: Si e vlerësoni qasjen e qeverisë së Serbisë në këtë drejtim?

Belgzim Kamberi: Qeveria e Serbisë, fatkeqësisht, po vazhdon t’i diskriminojë shqiptarët dhe këtë po e bën në mënyrë shumë më perfide se më parë. Pra, që nga viti 2003, mund të thuhet që qeveritë e njëpasnjëshme serbe nuk kanë treguar interesim për t’i integruar shqiptarët apo edhe për ta zhvilluar ekonomikisht këtë zonë. Qeveria e Vuçiqit sot është edhe më keq se qeveritë paraprake, sepse po bën një shtypje e diskriminim në mënyrë të heshtur, me metoda perfide, të padukshme, por që çdo ditë e më shumë shtypin shqiptarët këtu. Fatkeqësisht, kjo nuk po përcillet me një reagim të bashkësisë ndërkombëtare, e cila për interesa gjeopolitike mbyll sytë ndaj shtypjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës për shkak që ka më shumë interes të ruajë një stabilitet afatshkurtër me Serbinë. Fatkeqësisht sot të drejtat e njeriut në Serbi dhe të drejtat e pakicave në veçanti, nuk janë prioritet as i qeverisë së Serbisë, po as i BE-së dhe i bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, por është më shumë stabiliteti në Serbi dhe interesat e saj  që të jetë më afër me BE-në se sa me Rusinë, dhe kjo është jashtëzakonisht negative.

Titulli: Çfarë duhet ndërmarrë subjektet politike shqiptare dhe qeveria lidhur me integrimin. Ku duhet përqendruar?

Belgzim Kamberi: Sa i përket organizimit të brendshëm këtu, sigurisht se duhet të ketë më shumë aktivitet politik, duhet të ketë unitet cilësor e jo sipërfaqësor, mashtrues, për senzibilizim të çështjes së shqiptarëve. Sa i përket raportit me qeverinë e Serbisë, duhet bërë presion të rifillojë dialogu i nisur për planin shtatë pikësh, por gjithsesi ai plan duhet të plotësohet me çështje vitale, siç janë çështjet e drejtësisë, çështjet e krimeve të luftës dhe zhvillimi ekonomik. Sigurisht se në këtë aspekt, duhet që jo vetëm të dinamizohet ai dialog, por të rritet edhe presioni ndaj qeverisë së Serbisë, e cila po ka komoditetin të paraqitet pozitive, pikërisht nga mungesa e presionit, si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Kjo është një papërgjegjësi e plotë edhe e spektrit politik shqiptar lokal, i cili nuk po organizohet, por me amullinë dhe apatinë e tij po i kontribon qeverisë së Serbisë që të paraqes gjendjen e këtushme si stabile dhe që nuk ka probleme me integrimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve.

Titulli: Si e shihni avancimin e të drejtave të pakicës shqiptare në raport me integrimet evropiane të Serbisë, ku e kemi aktual edhe Raportin e Progresit?

Belgzim Kamberi: Problemi i parë i Raportit të Progresit është që çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, dhe çështja e drejtave të pakicave nuk është si kriter, është përmendur si problematikë, por jo si kriter për anëtarësimin e Serbisë në BE. Megjithëse ky raport konstaton se shqiptarët janë të nënpërfaqësuar dhe se dialogu është bllokuar, megjithatë nuk e parasheh çështjen e të drejtave të shqiptarëve si çështje të jashtëzakonshme. Nuk mund të krahasohet çështja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi me çështjen e të drejtave të minoriteteve tjera. Ky rajon  dhe çështja shqiptare i ka disa specifika të veta, për shkak të marrëdhënieve shqiptaro – serbe, por edhe të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Me këtë trend ka shumë gjasa që Serbia të përafrohet çdo ditë e më shumë me BE-në, mbase edhe një ditë bëhet anëtare e BE-së, pa e zgjidhur problemin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në këtë kuptim, jemi duke shkuar në një trend ku “Serbia mund të evropianizohet” pa respektuar të drejtat e shqiptarëve. Mbase, mund të vijmë në një situatë paradoksale ku “Serbia evropiane” do të jetë më diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës se “Jugosllavia e Titos”, dhe ky është një lëshim i jashtëzakonshëm, jo vetëm i Brukselit, por edhe i shqiptarëve, e një pjesë të përgjegjësisë kanë edhe qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë. Serbia çdo ditë e më tepër po ec drejtë BE-së në kurriz dhe në dëm të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe ky është një lëshim i jashtëzakonshëm insitucional. Institucionet tona që e kanë mandatin duhet të bëjnë shumë më tepër që të senzibilizojnë Brukselin dhe të bëjnë presion që çështja e të drejtave të shqiptarëve duhet të avancohet paralel me rrugën e Serbisë drejtë BE-së, sepse një Serbi në BE pa respektimin e të drejtave të pakicave, aq më tepër respektimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk do të jetë evropiane. Ajo mund të jetë gjeografikisht dhe politikisht në Evropë, por realisht nuk do të jetë evropiane, në frymën e vlerave evropiane, për të cilat edhe është themeluar BE-ja.

Titulli: Përmendët Kosovën dhe Shqipërinë. Cili është ndikimi i tyre dhe cili duhet të jetë në të ardhmen ndikimi i qeverive të Tiranës dhe Prishtinës për të ndihmuar çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

Belgzim Kamberi: Qeveria e Kosovës, fatkeqësisht, jo vetëm që nuk ka ndikuar pozitivisht, por ka ndikuar negativisht sepse në kuadër të dialogut që ka zhvilluar deri më tani në Bruksel, nuk e ka shtruar asnjëherë çështjen e shqiptarëve në Serbi. Kjo është jo vetëm negative por edhe diskriminuese ndaj nesh, sepse qeveria e Kosovës është dashur që në raportet e saj me Serbinë të përfshijë edhe çështjen e shqiptarëve. Nuk mund të flitet vetëm për çështjet brenda Kosovës e të mos flitet edhe për çështjet brenda Serbisë. Dialogu duhet të bëhet mbi parimet e barazisë, apo mbi parimet e reciprocitetit, nëse jo atëherë hyn në një rreth të parimit të nënshtrimit dhe në këtë kuptim Serbia ëshët ajo që po përfiton më së shumti, si në raport me Kosovën, ashtu edhe në raport me shqiptarët e Luginës. Sa i përket qeverisë së Shqipërisë, mendoj që edhe qeveria shqiptare në raportet e bashkëpunimit më Serbinë në kuadër të fqinjësisë së mirë, që është edhe një kusht për anëtarësim në BE, duhet të përfshijë edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Nuk ka kuptim që Shqipëria t’i përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë dhe që shqiptarët e Luginës së Preshevës të mos përfitojnë nga këto marrëdhënie. /Titulli.com/

VIDEO

 

Qytetarët nga Presheva mes zhgënjimeve dhe dhembjeve për refugjatët (foto)
Gazetarët e Luginës në ndarjen e çmimeve të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (Foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration