Salustro kërkon dënime, mbrojtja lirimin e të akuzuarve të Dobrosinit
Gjilan – Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” që po udhëhiqet nga trupi gjykues që po kryesohet nga gjyqtari i EULEX-it Arkadiusz Sedek,(foto) janë dhënë fjalët përfundimtare të prokurorit Mauricio Salustro dhe avokatëve mbrojtës. Salustro ka kërkuar dënimin për të akuzuarit sepse sipas tij ka prova të mjaftueshme kurse avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e të akuzuarve meqë nuk ka prova e as dëshmi.Procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj grupit të Dobrosinit i njohur si “Lëvizja e lirisë” po i vije fundi , meqë të hënën janë dëgjuar fjalët përfundimtare të prokurorit Mauricio Salustro si dhe të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, raporton rajonipress.
Prokurori Mauricio Salustro duke dhënë fjalën e tij përfundimtare tha se kërkoj dënim për të akuzuarit sepse ka prova, ka dëshmi të shumta të cilat edhe janë përmbledhur në aktakuzë. “Aktakuza është e bazuar në prova sepse kemi telefonata e përgjime, foto e dëshmi dhe armë të rënda. Ky grup është përgjegjës për sulmet në punktin e Dobrosinit dhe unë kërkojë dënimin sipas ligjeve në fuqi” tha Salustro.
Kurse avokati mbrojtës Destan Rukiqi tha se nuk ka prova kjo aktakuzë. “Unë e kam thënë me kohë se kjo aktakuzë nuk përmban elemente të qëndrueshme dhe si e tillë vërtet është e diskutueshme. Unë kërkojë që klienti im të lirohet nga akuza sepse mungojnë dëshmitë” tha Rukiqi.
Kurse avokati tjetër Shemsedin Piraj i cili mbron Gazmend Laknën tha për trupit gjykues në rastin e klientit të tij s`ka elemente të veprës penale.”Klienti im është i pafajshëm dhe se aktakuza nuk mbështet në prova të qëndrueshme dhe kërkojë lirimin e klientit tim nga të gjitha veprat e ngarkuara” tha Piraj.
Edhe avokatët tjetër mbrojtës thanë se aktakuza është e paqëndrueshme dhe se klientët e tyre po ngarkohen për vepra që nuk kanë fare dëshmi.
Ndërkaq avokati Halit Azemi i cili qysh në fillim e kas quajtur aktakuzën politike dhe të montuar tha se janë tre nga të akuzuarit e këtij grupi që nuk kanë pranuar të deklarohen, por në vend të saj e kanë zgjedhur heshtjen. “Kjo për mua është e kuptueshme sepse ky grup akuzohet edhe për armë ndërsa ne ende nuk kemi parë asnjë të tillë. Fotot e sekuestruara nga EULEX-i janë foto që i takojnë kohës së luftës së UÇPMB-së dhe nuk janë foto ta reja” tha Azemi.
Ndryshe aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj Valon Jasharit, Skender Jasharit,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani i ngarkon këta nëntë persona për veprat penale të terrorizmit, organizimi i grupeve terroriste , pjesëmarrja në grupe terroriste dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.
Grupi “Lëvizja e lirisë” dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet në punktin në Dobrosin të Bujanocit më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012.
Aktakuza saktëson se tek ky grup janë gjetur dëshmi e prova përmes përgjimeve telefonike, fotografi e gjësende tjera që lidhen me aktivitetet e këtij grupi.
Sipas aktakuzës më 17 maj 2012 një postbllok policor në Dobrosin të Bujanocit është gjuajtur me armë zjarri dhe dy sulme tjera më 28 qershor dhe 7 tetor 2012. Përgjegjësia për këto tri sulme është pranuar nga grupi i quajtur si “Lëvizja e lirisë” përmes tri komunikatave të publikuara në faqe të ndryshme të internetit thuhet në aktakuzë./