Profesori i Oksfordit: Ky shtet e ndali shkëmbimin territorial, tregon se për çfarë nuk janë të gatshëm Kurti e Vuçiq
Eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan, është shprehur pesimist se mund të ndodhë së shpejti njohja reciproke Kosovë-Serbi.
Në një intervistë Caplan ka thënë se as kandidati për kryeministër të Kosovës Albin Kurti dhe as presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk duken të gatshëm të bëjnë lëshimet e nevojshme për të arritur njohjen reciproke.
Sipas profesorit, Kurti e ka mundësinë që me përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe të Administratës Biden të nisë një dialog të ri me Serbinë.
Në këtë intervistë, Caplan ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve mes të dyja vendeve, duke kujtuar se Gjermania më 2018 kishte kundërshtuar ashpër idenë e Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit. Ai nuk përjashton mundësinë që ideja të riaktualizohet sërish, pasi sipas tij, tani ekziston një gatishmëri më të madhe të palëve të jashtme për të provuar këtë opsion.
Intervista e plotë:
Si e komentoni fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit?
Richard Caplan: Ishte një fitore e jashtëzakonshme, një arritje e jashtëzakonshme për Vetëvendosjen. Ajo përfaqëson një mohim të gardës së vjetër.
Albin Kurti insiston në dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, ndërsa ai e sheh dialogun me Serbinë si përparësinë e katërt ose të pestë. Si duhet të veprojë ai?
Richard Caplan: Kurti kurrë nuk i ka dhënë rëndësi dialogut Prishtinë-Beograd. Sidoqoftë, serbët e Kosovës janë aq të lidhur ngushtë me Beogradin sa nuk ka kuptim të përqendrohemi vetëm tek ata. Kurti ka një mundësi për të filluar një dialog të ri me Beogradin dhe do të ketë mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe administratës së Biden nëse ai vendos ta bëjë këtë.
A do të jetë e mundur njohja e ndërsjellë me Serbinë gjatë administrimit të Joe Biden? Përmes një letre drejtuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Biden foli për njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, Vuçiq tha se kjo nuk do të ndodhë dhe se qëndrimi i tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar …
Richard Caplan: Nga njohja e ndërsjellë do të përfitonin të dy palët, duke hequr një pengesë për integrimin e Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare. Sidoqoftë, deri më sot njohja e ndërsjellë ka shmangur të gjitha përpjekjet diplomatike. As Vuçiq dhe as Kurti nuk duken të gatshëm të bëjnë lëshimet e nevojshme për të arritur njohjen reciproke. Brukseli dhe Uashingtoni duhet të punojnë së bashku për të inkurajuar palët të shkojnë përtej ngërçit aktual, por unë nuk shoh arsye për optimizëm në këtë kohë.
A mendoni se është braktisur ideja e shkëmbimeve territoriale me Serbinë?
Richard Caplan: Shkëmbimet territoriale ishin në tryezë në vitin 2018, kur Vuçiq dhe Thaçi dukej se po shqyrtonin opsionin. Ajo ngjalli kundërshtime në disa vende evropiane (veçanërisht në Gjermani), të cilat ishin të shqetësuara për implikimet më të gjera rajonale të rregullimit të kufijve. Sidoqoftë, duket se ekziston një gatishmëri më e madhe midis palëve të jashtme tani për të provuar mundësinë. Pyetja është nëse qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës janë të interesuara të ndjekin këtë opsion.
Cili është parashikimi juaj për qasjen e administratës së re të SHBA-së ndaj Ballkanit?
Richard Caplan: Megjithëse Biden historikisht kishte një interes të fortë në Ballkan dhe u ka shkruar tashmë si Vuçiqit, ashtu edhe Osmanit, rajoni nuk është përparësia e tij më e lartë për të në këtë moment. Ai do të përqendrohet kryesisht në çështjet e brendshme – pandeminë Covid-19 dhe ringjalljen ekonomike – dhe çështje të tjera të politikës së jashtme do të kenë vëmendjen e tij (p.sh. Irani). Në seancat e tij të konfirmimit, Sekretari i Shtetit Blinken sinjalizoi mbështetjen e tij për punën e administratës së mëparshme në Ballkan, duke përfshirë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, kështu që rajoni është në radarin e tij. Le të shohim se çfarë del nga takimi i Blinken me ministrat e jashtëm të BE të hënën.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/aplan-Richard.jpg): failed to open stream: No such file or directory