Prishtina akuzon Serbinë: Spastrim etnik i Luginës së Preshevës
Prishtina zyrtare fajëson Serbinë se pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet serbe lidhet me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të reagojë ndaj Serbisë për shkak të “pasivizimit të adresave nga Serbia të shqiptarëve në Luginën e Preshëvës”, e cila pasoi me pjesëmarrje të ulët të shqiptarëve në zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Serbi. Presidentja Osmani tha se “komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”. "Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit [v.j. të adresave të banimit] me mjete administrative”, tha Osmani në 1- vjetorin e punës së saj si presidente e Kosovës.
Politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës, më herët kanë thënë se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar "strukturën etnike" të këtyre komunave.
Kurti: Padrejtësi e madhe
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet në të njëtën linjë, duke thënë se “shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu është bërë një padrejtësi e madhe dhe rezultati jo i mirë në zgjedhje mund të jetë ndikuar nga pasivizimi i mbi 6 mijë adresave”. "Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc iu është bërë një padrejtësi e madhe meqenëse rreth 6 mijë vetave atje u janë pasivizuar adresat duke i diskriminuar mbi baza kombëtare. Po ndodh një lloj spastrimi etnik, administrativ e burokratik i heshtur e i ftohtë e megjithatë me pasoja shumë të rënda, dhe unë besoj që rezultati jo i kënaqshëm i këtyre zgjedhjeve për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc vjen edhe për shkak të këtij spastrimi të heshtur që po iu bëhet atyre atje me metoda joluftarake kësaj radhe, por administrative e burokratike”, u shpreh Kurti për mediet lokale.
Von Cramon: Raportime, se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon në reagimin e saj për zgjedhjet në Serbi, përmendi çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. "Zgjedhjet Serbe demonstruan zhvillime pozitive pasi një numër i konsiderueshëm i votuesve ishin të etur për të marrë pjesë. Serbia do të ketë sërish një Parlament pluralist dhe të larmishëm. Megjithatë, zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as të drejta”, shkroi ajo ne Twitter. Sipas Cramon, pas raportimeve, se shqiptarët po fshihen nga lista e votuesve në Serbi, ajo tha se "raste të tilla të përfshihen në raportin paraprak të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve, por edhe në deklaratën e PE-së”.
Selakoviq: von Cramon është mike e shqiptarëve
Beogradi zyrtar reagoi menjëherë pas deklaratës së raportueses për Kosovën në PE, Viola von Cramon. Ministri jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, përmes një njoftimi për medie tha, se "Von Cramon është mike e shqiptarëve dhe s'është punë e saj mbështetja e përmbysjes së pushtetit në Serbi”. Ai u shpreh, se "nuk është puna e eurodeputetëve të mbështesin përmbysjen e qeverisë së një shteti sovran dhe të kufizojnë të drejtën e qytetarëve serbë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë në procesin demokratik.” Citimin e ka bërë agjencia serbe Tanjug./DW/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/eputetet-.jpg): failed to open stream: No such file or directory