Presheva, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Perandoria Osmane
Lokale

Presheva, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Perandoria Osmane

28.Jan.2016 17:39
0
Lugina e Preshevës (Kosova Lindore) është e banuar me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë. Ajo qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Këtë trevë shqiptare e bëjnë komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike).

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës dhe të Maqedonisë paraqesin  etnikumin më të vjetër në rajon. Ata bënin pjesë në Mbreterinë Dardane, e cila për këtë etnikum paraqiste tërësi etnogjenetike dhe politike. Pra, një mundësi  e madhe që ky etnikum të jetojë në një territor të përbashkët, me cilësi të përbashkëta etnike, kulturore, gjuhësore, ekonomike e politike. Mirëpo, luftërat e shumta të Mbretërisë së Dardanisë me Maqedonasit aq shumë e dobësuan, sa që pushtuesit e ardhshëm e copëtuan dhe e ndan këtë etnikum në disa territore. 

Lugina e Preshevës, sëbashku me Luginën e Shkupit, sipas gjeografit serb Jovan Cvijiq, paraqesin rëndësinë më të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan dhe shteti që mbikqyrë dhe sundon këto dy Lugina qeverisë krejt Ballkanin. Këtu qëndron edhe rëndësia e Luginës së Preshevës, e cila gjatë historisë dhe të kaluarës së saj ishte arenë e shumë betejave dhe luftërave për ta sunduar ate. Hekurudha përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar lidh jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente. Autostrada poashtu është me rëndësi të madhe. Kohëve të fundit aktualizohet edhe kanali përgjatë lumit Danub - Moravë - Vardar, për të cilin ishin të interesuar edhe më herët Amerikanët, Françezët, Anglezët. Kështu territorin e Shqiptarëvë të Luginës së Preshëvës e shkelën Sllavët, ushtria bizantine në shekullin XI, ushtria turke në shek. XV, ndërsa më vonë edhe shumë pushtete antishqiptare. Mirëpo, Shqiptarëve të Luginës, asnjëherë dhe kurrë nuk iu shua shpresa për bashkim kombëtar, sepse gjithmonë ishin pjesë përbërëse e kërkesave mbarëshqiptare. 

Historiani Ramiz Abdyli shprehet kështu: “Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilmit gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone”.              

Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin osman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës  gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu e shum patriotë të Luginës organizuan protesta  dhe ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha pushtetit osman. Pastaj të përmendin kryengritjen e Dervish Carës, më 1844, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni si dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë. 

Shqiptarët e Luginës së Preshevës iu bashkangjitën kërkesave të Qeverisë  Shqiptare të Shqipërisë, e cila kërkoi Autonomi Territoriale - Politike të Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Ajo nuk i pranoi 14 kërkesat e Shqiptarëve për Autonomi Politike, por vetëm kërkesat kulturore-arsimore.Kështu dështoi kërkesa dhe erdhi  zhgënjimi në Perandorinë Osmane që Shqiptarët të jëtojnë në një shtet të përbashkët shqiptar. Mosnohja e autonomisë politike nga Perandoria Osmane, Shqiptarët e pakënaqur i motivoi të organizojnë Kryengritje. Kësaj iu bashkangjitën edhe  Shqiptarët e Luginës së Preshevës, në krye me patriotin Idriz Seferi.

1.Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

 Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin shqiptar, të mbajtur në Prizren, më 10 qershor 1878. Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte Vilajetet të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte përpjekja e  parë e madhe për të krijuar një regjion të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe, e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. 

Burimet serbe e trajtojnë formimin dhe aktivitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Studiuesi Jovan Hazhivasileviq shkruan:

“Edhepse Porta turke e formoi Lidhjen Arnaute/Shqiptare/, ajo nuk dëshironte që kjo ti dalë jashtë ndikimit dhe me pasoja të papara, ndërsa Lidhja Shqiptare e udhëhequr nga Shqiptarë të arsimuar dhe nën ndikimin e agjitacionit të huaj, u zhvillua në drejtim tjetër dhe në përmasa të tjera e jo ashtu siç e planifikoi Porta turke.Në këtë kohë parija shqiptare u thirr në Stamboll, për tu bindur që të mos luftojnë kundër Portës, por kundër Serbisë dhe Malit të Zi, me besim të plotë se Turqia do të angazhohet që kufiri në mes Serbisë dhe Turqisë do të jetë në Toplicë dhe se do ti kthehen tokat e uzurpuara nga Mal i Zi. Për këtë Turqia ndër Shqiptarë dërgoi hoxhallarë, imamë, sheikë, dhe klerikë tjetër për ti bindur shqiptarët, në qëllimin e mirë të Turqisë”.

Shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe nga Stambolli në mënyrë të pavarur si dhe kundër dëshirës së Portës shkuan në Prizren Abdyl Bej Frashëri dhe Jani Vreto, me program të hartuar, të cilin e shqyrtuan dhe e miratuan në mbledhjet e Lidhjes.

“Sipas këtij program, Shqipëria do të formohet nga 4 pashallëqet: 1.Janinës, 2. Shkodrës,Tiranës, Elbasanit,  3.Shkupit, Dibrës,Tetovës, Gostivarit, Prilepit, Velesit, Manastirit dhe Ohrit,  4. Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Pazarit të Ri, Mitrovicës, Sjenicës, Prishtinës, Gjilanit, Preshevës dhe Kumanovës”, shkruan Jovan Haxhivasileviqi në librin: Lidhja Shqiptare, Beograd, 1909, f.40.

Pas shumë mos pajtimeve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit u formua Komiteti qendror I Lidhjes, në mesin e të cilëve hyn edhe Maksut Efendija Shehu nga Presheva, si dhe Kamber Aga dhe Haxhi Abazi nga Presheva, shkruan në të njëjtin libër Haxhivasileviqi.

Pas kësaj merret qëndrim që të formohen Degët e Lidhjes në disa qytete të shqiptarëve, ndërsa në Degën e Preshevës hyjnë Maksut Efendija Shehu, Kamber Aga, Haxhi Abazi e të tjerë. Degët kishin për qëllim arsimimin e shqiptarëve në këto treva, shkruan Jovan Haxhivasileviqi në Lidhjen Shqiptare, f. 45.

Pas Kongresit të Berlinit, Shqiptarët  në Vilajetin e Kosovës, në Shkup, Kumanovë,  Preshevë dhe Gjilan iu dha e drejta e formimit të Gjykatave shqiptare, pos atyre të Portës. Ato përbëheshin prej 10-12 personave.

Perandoria osmane nuk ishte e kënaqur me veprimtarinë dhe aktivitetet e Lidhjes Shqiptare, andaj edhe nga Vilajeti i Kosovës kërkohet që Porta e Lartë të dërgojë 40-50 tabore ushtarë për ta shuar Kryengritjen shqiptare.

Më poshtë po e paraqesim Letrën e dërguar nga Vilajeti i Kosovës për Portën e Lartë, ku në mes të tjerave thuhet:

“Për të rivendosur rregullin dhe qetësinë në këto vise të këtij Vilajeti, për t,i mbrojtur organet e pushtetit dhe popullsinë besnike ndaj Perandorisë kërkohet që sa më parë të dërgohen forca të shumta ushtarake, përkatësisht 40-50 tabore, për ta shkatërruar plotësisht qëndresën dhe rrezistencën e këtyre kryengritësve”.

Kështu më vitin 1881 pushoi se vepruari Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe Degët e saja nëpër qytetet shqiptare.

Faksimili i telegramit, marrë nga libri: Dr.Iljaz Rexha, Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi I Kosovës,1978

 

2.Delegatët e Preshevës në Kuvendin e LSHP

Për një tubim të tillë të përbashkët ishte caktuar Prizreni, me datën 10 qershor 1878, për të mund kërkesat shqiptare të nxirren para se të mbahet Kongresit i Berlinit dhe protestë e Shqiptarëve ndaj vendimeve të Shën Stefanit. Më 10 qershor 1878, në Prizren kishin arritur përfaqësuesit e Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Pllavës, Gusisë, Novi Pazarit, Prishtinës, Vuçitërnës, Manastirit, Ohrit, Dibrës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Preshevës, Shkupit, Tiranës, Elbasanit e qyteteve të tjera.

“Nga aspekti i përkatësisë klasore, pjesa më e madhe i përkiste shtresës feudale. Në tubim merrnin pjesë edhe pashallarë dhe bejlerë që ishin nën ndikimin e Portës dhe vepronin në interes dhe sipas udhëzimeve të saj”, shkruan Shukri Rahimi, në Gjurmime historike të Rilindjes Kombtare, Prishtinë, 1986, f.87.

Pra, qysh me kohë, Shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Se Presheva dhe Lugina e saj ishte liridashëse, e kyçur në Lëvizjen Mbarëkombëtare dhe se i dha kontribut Rilindjes Kombëtare Shqiptare fletë edhe fakti i themelimit të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Preshevë, me në krye me Sheh Maksut Efendiun, si dhe pjesëmarrja e patriotëve nga Presheva në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 : Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi. Atje tek ne thonë: “Mbahu Prizren se po vjen Presheva”.

Në këtë kohë të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit dhe pjesëmarrjes së delegatëve të Preshevës  në Kuvendin e Lidhjes, Shqiptarët e Luginës u gëzuan aq shumë me shpresë se do të ndodhë bashkimi kombëtar, bile gjatë përcjelljes së delegatëve dhe mbajtjes së Kuvendit  iu këndua Lidhjes së Prizrenit. Shqiptarët e Preshevës me lule dhe valle i përcollën delegatët në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Bile, thuhet se atëherë edhe lindi vallja e Miratocit “Miratocka”

Presheva vallëzoi dhe  këndoi gjatë përcjelljes së delegatëve preshevarë  për në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Prizren, por edhe përfundimit dhe pritjes së rezultateve të Kuvendit, që ishin me rëndësi edhe për fatin e Preshevës. Është e njohur se Presheva që nga viti 1878 u bë qendër e Kazasë së Preshevës.

Vallja më e njohur preshevare, Vallja e Miratocit “Miratocka” është valle me motive epike, e cila lindi në kohën e mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Vallja në fjalë ka dy etapa ritmike, në fillim të valles ka një ritëm të ngadalshëm muzikor e të hapit, ndërsa pjesa e dytë apo e fundit e valles ka ritmin më të shpejtë, por në të dy etapat nuk humbet hapi i rëndë burrëror dhe krenar i valles shqiptare. Vallja ka lidhshmëri me përcjelljen e delegatëve, kur ritmi i valles është më i ngadalshëm dhe pritjen e delegatëve preshevarë nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur ritmi përshpejtohet duke i pritur me kureshtje të madhe lajmet, haberet dhe rezultatet e Kuvendit.

 

Shkruar nga Xhemaledin Salihu-Preshevë

 

Reportazh: Medvegja, qyteza që po shuhet me ëndrrën për t'iu rikthyer shqiptarëve
Arsim Sadriu nga Presheva, nominohet për deputet në kantonin Basel të Zvicrës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration