Lokale
Për shkak të bllokimit të llogarisë Bujanoci pa ujë, heqje të mbeturinave dhe varrime
Qytetarët e Bujanocit pas disa dite do të mund të mbesin pa ujë, t’i ndërpritet heqja e mbeturinave si dhe varrimet.
NP “Komunalia” është para kolapsit sepse shteti për shkak të borxhit prej 63 milionë dinarëve i ka bllokuar llogarinë. Dalja e vetme nga kjo situatë alarmante është marrëveshje urgjente ndërmjet administratës lokale dhe ministrisë së financave.
“Shteti përnjëmend nuk është fer me këtë administratë lokale. Tre – katër vjet ai ka toleruar pushtetin e mëparshëm, e neve tani na ka sjell llogarinë edhe për pjesën e borxhit të Komesariatit për refugjatë dhe të përndjekur”, tha për Blic-in, Nagip Arifi, kryetar i komunës.
Ai thekson se komuna ishte e gatshme që të pranojë riprogramimin e borxhit në 24 këste pa kamatë, por këtë ofertë e kanë refuzuar shteti dhe Ministria e financave.
Arifi ka vënë re se “Komunalia” e Bujanocit është ndërmarrja e vetme publike në Serbi që shteti nuk i ka pranuar problemet, dhe për këtë nuk ka asgjë të qartë.
Drejtori i ndërmarrjes “Komunalia”, Ragmi Ramizi thotë se sot është dita e 33-të në bllokim të llogarisë dhe arka e tyre është pa dinarë. Ai thotë gjithashtu se punëtorët nuk marrin paga, që rezervat e klorit, energjentët dhe pjesët rezervë janë rreth fundit dhe të gjitha shërbimet zyrtare punëtorët i kryejnë me vetura private.
“Duart i kemi të lidhura në mënyrë absolute. Sot 180 punëtorët e “Komunalisë” po vuajnë veprimet e paraardhësit tim, i cili për tre vite e gjysmë nuk i ka paguar tatimet dhe kontributet, energjinë elektrike dhe obligimet tjera”, thekson drejtori Ramizi.
Ai thotë se edhe përkundër të gjithave në ndërmarrje mbretëron disponimi që borxhi duhet të kthehet, por apelon që afati i pagesës dhe teknologjia duhet të merren vesh.
Gjatë kësaj kohe restriksionet e ujit në qytet dhe rrethinë janë çdo ditë e më të shpeshta, kontejnerët janë përplotë sepse mbeturinat hiqen më rrallë, e në disa pjesë të qytetit nuk mund të kalohet për shkak të aromës së pakëndshme./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!