Myftiu nga Lugina vizitë në Maqedoninë Lindore
Kreu i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM), Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, zhvilloi një vizitë miqësore me Myftinitë e Maqedonisë Lindore.Kjo është vizita e dytë e radhës, që po e zhvillon Myftiu Saqipi, në Maqedoni, pas asaj që pati, vjet me kryetarin e Bashkësisë Islame në Shkup, Sulejman Rexhepi.
Fillimisht Saqipi e priti Haxhi Isa Ismaili, myftiu i Myftinisë së Maqedonisë Lindore, me seli në Shtip, me bashkëpunëtorët e tij Rejhan Mandak, sekretar i Myftinisë dhe Nuri Rexhepov referent.
Më pas Myftiu Saqipi, vizitoi Medresenë Hamidije e cila funksionon në kuadër të Medresesë Isa Bej, xhaminë e qytetit, ku e priti Muteveliu Zejnelov Djevdjet.
Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja për së afërmi e rrjedhave fetare, që po zhvillohen në këto dy shtete fqinje, në të cilat veprojnë këto institucione fetare islame.
Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi i informoi nikoqirët për veprimtarinë e BIPMB-së, të cilën e drejton qe disa vjet, me sfidat dhe pengesat që i dalin përpara.
Në këtë drejtim u përmend avancimi dhe afirmimi i procese fetare në Luginë, krijimi i një klime të paqes dhe tolerancës, si dhe ngritja e cilësisë së lëndës fetare nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Në kuadër të këtyre takimeve, u shtrua nevoja e një bashkëpunimi të ndërsjellë në mes të këtyre institucioneve fetare.
Drejtuesit e mytinive në Maqedoninë Lindore, pasi biseduan për zhvillimet fetare në Maqedoninë Lindore, shprehën interesimin për ta vizituar Luginën e Preshevës, përkatësisht BIPMB-në, me seli në Bujanoc.
Vlen të theksohet se kjo vizitë e Myftiut Nexhmedin ef. Saqipi, në Maqedoninë Lindore, është e dyta me radhë pas asaj që zhvilloi në Shqipëri, me kryetarin e Komunitet Mysliman Skender Bruçaj , njofton qendra për informim e BIPBM-së.