Delegacioni i KBI-së takohet me kryetarin e KKSH-së Jonuz Musliun
Kryetari i Këshillit Kombëtar (KKSH) Shqiptar, Jonuz Musliu, në selinë e këtij institucioni u takua me delegacion të Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) në krye me imamin Sulejman Fejzullahu.Kryetari i KBI-së Sulejman Fejzullahu ka uruar për zgjedhje në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar Jonuz Musliun, duke theksuar se “ky institucion ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe se bashkëpunimi i ndërsjellë nuk do të mungoj as në të ardhmen”.
“KKSH dhe KBI nga Bujanoci duhet edhe më tej të avancoj këtë bashkëpunim në organizimin si të jetës fetare ashtu edhe të shoqërisë në tërësi” tha imami Fejzullahu, thuhet në kumtesën e KKSH-së, transmeton Titulli.
Kryetari Musliu duke i falënderuar imamët nga KBI në Bujanoc, për angazhimin e tyre, theksoi se mbi të gjitha duhet të mbretërojë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.
“Besoj që për angazhimin e përbashkët për çështje kruciale absolutisht nuk do të mungoj. Është më se e nevojshme të identifikohen të gjitha hapësirat ku mund të japim kontribut për të avancuar dhe mbrojtur të drejtat fetare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për më tepër organizimi fetar edhe para luftës edhe pas luftës ka vepruar në kuadër të ruajtjes së substancës kombëtare të shqiptarëve. Andaj, në këtë kontekst përgjegjësit dhe obligimet janë më të mëdha, por të gjitha sfidat do t’i tejkalojmë bashkërisht”, nënvizoi Musliu.
Gjatë takimit u diskutuan të gjitha çështjet me rëndësi për shqiptarët e Luginës së Preshevës si dhe sfidat që na presin në të ardhmen si KKSH-në dhe KBI-në e Bujanocit, sqarohet në kumtesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar. /Titulli.com/