Miratohet marrëveshja Shqipëri-Serbi, qarkullimi vetëm me letërnjoftim
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur të miratojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë Shqipëri-Serbi vetëm me letërnjoftime.
Marrëveshja që shtetasit serb të futen në Shqipëri ose anasjelltas vetëm me karta identiteti (Pa pasaportë siç ka ndodhur deri më tani) u nënshkrua në nëntor mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, gjatë takimit online për mini-Shengenin Ballkanik.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë marrëveshje një hap të rëndësishëm që shqiptarët të kenë lëvizje të lirë me vendet e Ballkanit.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, ratifikuar me ligjin nr.10474, datë 27.10.2011, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në ‘Fletoren zyrtare’”, thuhet në vendim.