Ministrja e Kosovës: Nga marrëveshja e Procesit të Berlinit, përfitojnë edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit
Arbërie Nagavci ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka përshëmdetur marrëveshjen për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor.
Postimi i sajë në facebook:
Lajm i mirë nga Berlini
Republika e Kosovës sot ka nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit përmes të cilit jetësohet Tregu i Përbashkët Rajonal. Në mesin e marrëveshjeve të nënshkruara, dy janë nga fusha e arsimit.
Marrëveshjet e nënshkruara janë:
Marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime
Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë
Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda Rajonit.
Kurse, me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës.
Përmes këtyre marrëveshjeve do të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë tanë si dhe profesionistët. Po ashtu do të eleminohen pengesat e shumta të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në lidhje me mosnjohjen e diplomave, shqetësim që me të drejtë e kanë ngritur në secilin takim që kemi pasur.