Berlin: Ballkani Perëndimor me marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve dhe diplomave
Rajoni dhe Politika

Berlin: Ballkani Perëndimor me marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve dhe diplomave

03.Nov.2022 16:41
0

Ka përfunduar punimet samiti i Procesit të Berlinit, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman Olaf Scholz, ndërsa morën pjesë liderët e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Liderët nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor.

Marrëveshjet e nënshkruara pas gati dy vjet negociatash, duhet fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës.

Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve mundëson lëvizjen e lirë, pa viza, edhe mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Ky është cilësuar një lajm i mirë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nga Prishtina në Sarajevë dhe nga Sarajeva në Prishtinë do të mund të udhëtohet vetëm me letërnjoftime, që është lajm shumë i gëzueshëm për dy vendet tona”, tha Kurti në konferencë për media.

Ndër tjerash, në komunikatën e qeverisë thuhet se marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë heq “një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit”.

Qeveria e Kosovës tha se marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale mundëson që mjekët, dentistët dhe arkitektët të ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm në rajon, në kushte “ jo më pak të favorshme” me qytetarët e shtetit pritës.

 

Në këtë samit morën pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq - si dhe ata të BE-së.

Scholz: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet

Nikoqiri i këtij samiti, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjeve një “sukses jashtëzakonisht i madh për qytetarët e rajonit”, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.

“Ky samit tregon se dëshira e përbashkët për të arritur marrëveshje është shumë e madhe, andaj Gjermania e përkrah fuqishëm këtë proces”, u shpreh Scholz në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve.

Ai shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

Përveç bashkëpunimit rajonal, Scholz theksoi se “sfidat nga migrimi i parregullt, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje kyçe për të gjithë ne”, ndërsa shtoi se vendet ballkanike duhet t’i harmonizojnë politikat e vizave me BE-në.

 

 

 

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi ishte përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi ishte fokusuar në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Shqipëria, nikoqire e takimit të radhës

Takimi i radhës mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi rezultatin e arritur në Procesin e Berlinit si “historia e bukur që ka qenë në zemër të projektit evropian”.

“Kur u ulëm këtu bashkë për herë të parë, ishim urryer për shekuj të tërë, ndërsa tash kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë. Të gjithë kemi pasur kënaqësinë të jemi sot këtu, tetë vjet pasi nisi Procesi i Berlinit”, u shpreh Rama./REL/

 

 
copy(/home/titulli/public_html/images/image/erlin-ballkan-lider.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Regjistrimi i popullsisë në komunën e Bujanocit sipas vendbanimeve (statistika)
Ministrja e Kosovës: Nga marrëveshja e Procesit të Berlinit, përfitojnë edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration