Lokale
Lugina e do hisen e vet në bisedime
Derisa Beogradi zyrtar pothuajse e ka konkretizuar pjesëmarrjen e delegacionit serb të veriut, në kuadër të ekipit të Beogradit në bisedime me Prishtinën, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur “pezull”. Ata po kërkojnë që në këtë proces negociator të kenë hisen e vet, duke u përfaqësuar në ekipin e Prishtinës.
Derisa po vazhdojnë të bëjnë presion mbi Qeverinë e Kosovës, numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se përfaqësimi në këto bisedime do të jetë mbi bazën shtetërore.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se nëse serbët e veriut do të jenë pjesë e delegacionit serb, atëherë duhet të vlejë reciprociteti që edhe Lugina të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës. Ndërkaq, ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Jonuz Musli, nuk ka përjashtuar mundësinë e presionit që Lugina të jetë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës.
“Doemos që do të bëjmë presion që në delegacionin e Kosovës të jenë edhe përfaqësuesit e Luginës. Ne jemi territor i Kosovës dhe kemi qenë pjesë e saj”, ka thënë Musliu. Se cili do të jetë presioni i Luginës, sipas Musliut, me vetë faktin që në Luginë ka pasur referendum, pastaj marrëveshja e Konçulit, këto janë disa nga presionet.
“Por, presioni më i madh për Prishtinën, do të jetë uniteti i shqiptarëve në Luginë, por edhe mirëkuptimi i Qeverisë së Kosovës, sepse pa përfaqësuesit e Luginës në delegacionin e Kosovës, nuk ka kuptim të bisedohet me Serbinë”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, pavarësisht a do të jenë në delegacionin serb përfaqësuesit e veriut “ne kemi kërkuar që të jemi pjesë e delegacionit të Kosovës”. Musliu tha se shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë bërë luftë për t’iu bashkuar Kosovës, ndërsa është e palogjikshme që në këto negociata, çështje e tri komunave të mbetët “pezull”.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka pyetur se pse serbët e veriut duhet të jenë pjesë e delegacionit serb.
“Realisht unë nuk e di pse duhet të jenë serbët e veriut pjesë e delegacionit të Serbisë, sepse ata jetojnë në Kosovë, dhe interesat e tyre pavarësisht se ata nuk janë të integruar ashtu si duhet t’i mbrojnë përfaqësuesit tanë legjitimë, në këtë rast kryeministri. Prandaj, nëse tentohet diçka e tillë të bëhet sigurisht që kjo e jep nevojën apo kërkesën që të ketë në një mënyrë reciprocitet”, ka thënë Beqiri. Porse, sipas tij një gjë e tillë është shumë e rrezikshme dhe se hap edhe probleme të tjera.
“Është e paqëndrueshme tash të shtohet në një delegacion shtetëror dikush që është banor, shtetas i një shteti tjetër. Prandaj, mendoj që bisedimet duhet të udhëhiqen në nivel shtetesh, aty është edhe përfaqësuesi i këtyre shteteve dhe secili në shtetin e vet”, ka thënë Beqiri. Ndërsa këtë rast ai ka thënë se nuk mund të anashkalohen problemet në Luginë, sepse do të ishte shumë e paqëndrueshme sepse jo të gjitha problemet janë të rregulluara në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
“T drejtat e shqiptarëve të Luginës, janë shumë më pak se të drejtat që i kanë serbët e Kosovës. Ne edhe një herë e konfirmojë që si subjekt politik punojmë për këtë shtet që e kemi, për këta kufij që i kemi, por nëse hapen probleme të natyrave të tilla, duhet të bisedohet edhe për rregullimin e statusit të tyre atje”, ka thënë Beqiri.
Nga ana tjetër, lajmi i plasuar në medie se serbët e Kosovës do të jenë pjesë e dy delegacioneve përballëse, në procesin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që të reagojë Shoqata e Shqiptarëve të Kosovës Lindore “Vatra”, duke konsideruar e përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës do të duhej ishin pjesë e delegacionit të Kosovës, e jo serbët e veriut.copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/09/jonuz-musliu.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!