Kurti takohet me Amina Nurajn, aktiviste e çështjes shqiptare në Sanxhak
Kryeministri, Albin Kurti, ka pritur në takim Amina Nuraj, aktiviste e çështjes shqiptare në Sanxhak. Bashkë me të ishte edhe Granit Hyseni, i cili u zhvendos atje për të studiuar.
Në takim, kryeministri Kurti dhe Nuraj folën për pozitën e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht në Sanxhak, dhe për sfidat dhe vështirësitë e tyre.
Kryeministri u njoftua mbi aktivitetet e aktivistes Nuraj në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës, identitetet dhe traditës shqiptare dhe avokimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi.
”Ai e falënderoi znj. Nuraj për kontributin dhe angazhimin e palodhshëm të saj, dhe uroi punë të mbarë me rastin e hapjes së zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Pazarin e Ri. Kjo zyre u hap të mërkurën. I pranishëm në ceremoninë hapëse përkrah Amina Nuraj ishte edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar, Nevzad Lutfiu”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu përmendet se në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar, me qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptarë./Titulli.com/