Kryetarja e Preshevës: Pozitive që Albin Kurti na përmendi në Bruksel
Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet hapur në Bruksel nga Qeveria e Kosovës. Kështu mendon Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila në këtë pozitë ka ardhur pak muaj më parë.
Ajo ka thënë se përmendja që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri në Bruksel në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është një hap pozitiv.
Në procesin e bisedimeve, ajo është shprehur se duhet të përfshihen edhe përfaqësuesit nga Lugina.
“Duhet pasur kujdes që Lugina e Preshevës të mos instrumentalizohet për interesa të kryeqendrave të ndryshme. E rrezikshme është ideja të vendoset fati politik i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës”, ka thënë Sinani, për Klan Kosova.
“Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës. Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës”.
Duke komentuar kërkesën e Serbisë për themelim të asociacionit të komunave serbe, Sinani ka theksuar se nëse në tavolinë shtrohen çështje për ndonjë autonomi politike apo territoriale, aty duhet përfshirë edhe tri komunat shqiptare që ndodhen në Serbi.
Sinani ka folur edhe për ndihmat që u kanë shkuar nga Kosova dhe Shqipëria dhe në këtë pikë ka kërkuar angazhim më të madh.