Vështrime
Insektet
Mediet, gazetarët duhet të hulumtojnë dhe ta gjejnë të vërtetën për çdo gjë për mbi gjithçka, sepse ashtu i ndihmojnë shoqërisë. Të dëmshme bëhen ato ku në vend të fakteve dhe informatave objektive nuk sjellin burim tjetër përveç floskës “burimet tona na thanë”. Dy media e ridëshmuan se si nuk duhet të bëhet gazetari
Shkruan: Baton Haxhiu
Insektet pickojnë. Shëtisin gjithandej dhe prekin gjithçka. Metoda njihet nga dinamika e epidemive që përhapin insektet: virusit nuk i duhet më shumë se një grerëz apo një minikopé për ta bartur çdo sëmundje të mundshme nga qoshi e në skaj të kontinentit. Po në të njëjtën formë dhe me të njëjtën strategji përpiqen të punojnë disa nga mediet tona.
Shkruajnë pa emër se s’kanë guxim. Fshihen si insekte. Pickojnë dhe fëlliqin gjithandej. E bëjnë kur e humbin rrugën dhe nuk e dinë çfarë profesioni kanë. Fluturojnë në mënyrën e tyre apo flasin si Erion Braqe. Të zhgënjyer nga të gjithë. Vendosin emra pa kuptime, pa kontekst dhe pa qellim.
Si insektet
Ato mundimshëm e gjithë kohën, kërkojnë ndonjë sekuencë – sado banale që të jetë - që do t’ua ofronte virusin, epideminë e ditës; qoftë për ta arsyetuar ekzistencën e vet e qoftë sepse “ideja“ e sensacionit të radhës u porositet, u sugjerohet, u imponohet, lobistët apo fragmente e fraksione të caktuara politike.
Ku është fjala konkretisht?
Mbrëmë vonë dy media kosovare paralajmëruan se sot do ta plasojnë një temë bombë me titullin “shteti në synetinë e .....“. Në paralajmërim sugjerohej mediet t’i kenë rënë në fije një rrjeti mafioz po si kapot legjendarë të Sicilisë. Të nesërmen ashtu edhe hapet Saga; raportohet për një dasmë private, familjare, në një stil padyshim të huazuar nga seritë e shumta mbi familjet mafioze të SHBA-ve të viteve të 60-ta.
Pse dhe si festa u paraqit si anatomia e kapjes së shtetit nga një familje në gëzim?
Sepse familja është e përfshirë në biznese të ndryshme të ekonomisë kosovare dhe sepse në dasmën e tyre merrnin pjesë personalitetet kryesore të partive të vendit dhe figura të rëndësishme me përgjegjësi shtetërore e publike. Kishte shumë të tjerë që nuk ishin zënë në gojë.
Ky është i vetmi fakt në tekst të cilin nuk e mohon dot kush.
Po mafioziteti?
Po kush e tha këtë? S’dinë as vetë. Sepse shkrimi s’ka emër. Ashtu siç bëjnë mafiozët. Pa emër. Por në emër...
E paskan thënë “burimet tona“. Cilat janë ato? O burimet - o faktet, pa njërën nga këto s’ka informatë të besueshme. Ka vetëm dezinformatë, shpifje të qëllimshme.
Pyetja në mos familja paska korruptuar të gjitha partitë PDK-në, LDK-në, VV-në, AAK-në, mund të parashtrohet. Ashtu siç mund të parashtrohet edhe pyetja: Në mos pjesëmarrja e këtyre subjekteve në dasmë stërzmadhohet nga media të caktuara me qëllime të vënies nën presion të të apostrofuarve për t'u kapur me dikë tjetër? Po bëjmë pyetje pra, mirëpo çdo gazetar edhe me etikën më minimale profesionale duhet të jetë i vetëdijshëm se e vërteta nuk zbulohet vetëm nëpërmjet pyetjeve, por ekskluzivisht nëpërmjet fakteve.
E pse qenkan familjet tjera të pasura të shoqërisë kosovare mafioze për këtë punë, sepse paskan kapital? Pse ata i paskan fajet që Kosova ka zgjedhur rrugën e tregut të lirë e jo atë të planeve 5-vjeçare ekonomike?
Po nuk besoj se gazetarët që lëshuan atë tekst të jenë aq të padalë kund në botë saqë të mos dinë se në dasmat dhe festat e të pasurve gjithandej botës mysafirët janë të një statusi ndryshe social sesa në dasmat e atyre që nuk janë të pasura. Jetseti jeton nga kjo formë performance sociale?
Nuk dua ta besoj këtë sepse besoj në inteligjencën e disa gazetarëve në mediet e aluduara. Janë detyruar ta bëjnë këtë gazetari të keqe për shkaqe tjera?
Të vazhdojmë me pyetje? Jo se është e pakuptimtë.
Ku ka përfunduar gazetaria jonë? Është shndërruar ajo në epidemi që di të prodhojë viruse për t’i shpërndarë pastaj nëpërmjet insekteve epidemibartëse që janë të trullosura nga pickimet e tepërta? Një shpresë për të mos qenë kështu ka. Është ankesa publike e plasuesve që storien këtë radhë mos “ta kenë vjedhur“ portalet e gazetat tjera. Dhe mirë kanë bërë. Teksti është shembulli më konkret i gazetarisë së keqe. Asaj dezinformuese!
U kërkoj falje lexuesve që edhe unë kam kontribuar që sadopak të kontribuoj në kafshimet që u vijnë. Më vjen keq dhe ndihem i pafuqishëm ta ndërpres pakuptimësinë dhe kafshimet që mund t'u vijnë nga këto insekte. Ato që fluturojnë dhe ato që ecin për toke.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/10/anonim.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!