Lokale
Analizë e Spektrit Info: 800.000 euro të hedhura në baltë
Nëse bëjmë krahasime me zhvillimin ekonomik dhe atë të bujqësisë për të cilët janë paraparë së bashku 190.000 euro, vetëm për sport, kulturë, turizëm dhe informim janë paraparë të harxhohen rreth 800.000 mijë euro. Së fundmi lind edhe pyetja legjitime. Kah po orientohet komuna e Bujanocit? Do të mbetet edhe më tej vatër e fukarallëkut dhe premtimeve boshe apo do të kënaqemi me lulëzimin e turizmit “te xhurrumeli” dhe “te varri i partizanit”, me futbollin e përroskave të Zhbevcit e Bilaçit, me vallet e tipit “Rrum dada ylli”, me informimin e “yjeve televizive të zanatlinjve”, etj.
Këshilli Komunal i Bujanocit i dha të premten e kaluar dritën jeshile buxhetit për vitin 2014 i cili kap shumën e 933.808.000 dinarëve. Por, deri në miratimin përfundimtar, ky propozim duhet të marrë votat e nevojshme edhe të këshilltarëve të Kuvendit Komunal.
Marrë parasysh radhitjen e forcave politike në kuvend, s’do mend se ky propozim do të fitoj besimin edhe të këtyre të fundit.
Ajo që mbetet faktike është se çfarë do të përfitojnë qytetarët e komunës në vitin e ardhshëm kalendarik. Që në fillim shihet qartë se për shkak të zvogëlimit të mjeteve, kryesisht nga transferi, do të zvogëlohen mundësitë për investime kapitale në infrastrukturë.
Elementi tjetër i rëndësishëm është se për më tepër se 10 vite klasifikimi i buxhetit ka mbetur pothuaj se i njëjtë, andaj pa marrë parasysh premtimet, sidomos në kohën e fushatave elektorale, asnjë përbërje politike nuk ka pasur aftësinë e ndoshta as guximin për të bërë ndryshime.
Tani, qytetarët medoemos duhet të shtrojnë pyetjen: a është ky buxhet social apo një përshkrim kozmetik nga viti në vit?
Përbërja aktuale qeverisëse, sidomos partia kryesore, elementin kyç që e ka përdorur gjatë fushatës, ishte hapja e vendeve të reja të punës. Por, cili do të jetë realiteti për 2014-tën?
Nga vlera totale e buxhetit që është përafërsisht 9 milionë euro, për hapjen e vendeve të reja të punës janë paraparë të ndahen vetëm 10 milionë dinarë apo diç më shumë 90 mijë euro, që i bie vetëm 1 për qind e buxhetit total.
Është ironike të thuhet se këto mjete nuk i përkasin ndonjë pike të veçantë buxhetore por janë të radhitura në shërbimet publike të përgjithshme që nuk janë të klasifikuara diku tjetër.
Nëse krahasojmë mesataren dhe përvojën e komunave tjera, se për hapjen e një vendi të ri të punës nevojiten mes 300 deri në 400 mijë dinarë, atëherë i bie se Bujanoci me mjetet e parapara për vitin e ardhshëm mund të hap afërsisht vetëm 30 vende të reja pune.
Madje, mjete mjaft të limituara janë paraparë edhe për bujqësinë, 12 milionë dinarë, edhe pse pushteti zhvillimin e kësaj lëmie e ka paraparë si një mundësi të mirë për zbutjen e papunësisë.
Për dallim nga këto dy fusha, hapja e vendeve të reja të punës dhe bujqësia, edhe vitin e ardhshëm do të vijoj ndarja e mjeteve në mënyrë enorme për veprimtaritë tjera, apo thënë në zhargonin popullorë “hedhja në lloç e parave”.
Me siguri, duke mos pasur guximin për ndërmarrjen e masave radikale dhe frikës që mund të kushtojë me vota, por edhe presioneve të ndryshme, administrata lokale do të financojë organizatën turistike me 8.682.700 dinarë. Analistët ekonomik por edhe vet qytetarët do të parashtrojnë pyetjen se çfarë turizmi deri më tash në Bujanoc ka proklamuar kjo organizatë dhe çfarë do të proklamojë në të ardhmen.
Nga turizmi pason sporti. Hiç më pak se 30 milionë janë parë për këtë veprimtari, përfshirë edhe shpenzimet e qendrës sportive “ Rinia “. Po është indikative se për klubet e futbollit të komunës sonë janë paraparë rreth 7.100.000 dinarë. Edhe pse këtë veprimtari do ta analizojmë në edicionet e ardhshme, ndonjë i huaj do të parashtronte pyetjen: Vallë cili klub nga Bujanoci garon në Ligën e Kampionëve ?!
Gjendje katastrofike është edhe në ndarjen e mjeteve për informimin e qytetarëve. Edhe pse këtë pikë buxhetore do ta analizojmë veçmas, komuna ka paraparë shpenzimin e rreth 350 mijë eurove për këtë veprimtari . Analitikët edhe këtu do të parashtronin pyetjen e drejtë: A po financohet RTS-i, RTK –ja , apo kush tjetër.
Po vazhdon me avazin e vjetër edhe financimi i Shoqërive Kulturore me vallet tashmë të demoduara, edhe atë me vlerë prej 3. 5 milionë dinarë.
Nëse bëjmë krahasime me zhvillimin ekonomik dhe atë të bujqësisë për të cilët janë paraparë së bashku 190.000 euro, vetëm për sport, kulturë, turizëm dhe informim janë paraparë të harxhohen rreth 800.000 mijë euro.
Së fundmi lind edhe pyetja legjitime. Kah po orientohet komuna e Bujanocit? Do të mbetet edhe më tej vatër e fukarallëkut dhe premtimeve boshe apo do të kënaqemi me lulëzimin e turizmit “te xhurrumeli” dhe “te varri i partizanit”, me futbollin e përroskave të Zhbevcit e Bilaçit, me vallet e tipit “Rrum dada ylli”, me informimin e “yjeve televizive të zanatlinjve”, etj.
Kjo analizë është emetuar në edicionin Spektri Info të datës: 16.12.2013
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/12/bujanoci.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!