Amazon ofron trajnime falas për përdorimin e inteligjencës artificiale
Gjiganti teknologjik amerikan, Amazon, njoftoi të hënën se do ta nisë një program falas për trajnimin e njerëzve se si ta përdorin inteligjencës artificiale (AI).
Amazon.com njoftoi për lëshimin e programit “AI Ready”, apo “Gati për AI”, i cili do të ofrojë trajnim për zhvillimin e aftësive dhe arsimim për dy milionë njerëz në gjithë botën deri në vitin 2025.
Kompania amerikane tha se synimi i saj është ta bëjë inteligjencën artificiale të qasshme për këdo që dëshiron të mësojë.
“Inteligjenca artificiale është teknologjia më transformuese e gjeneratës sonë. Nëse duam ta zhbllokojmë potencialin e plotë të inteligjencës artificiale për t’i luftuar telashet më sfiduese të botës, atëherë ne duhet ta bëjmë edukimin për AI të qasshëm për të gjithë që duan të mësojnë”, tha Swami Sivasubramanian, zëvendëspresident për të dhëna dhe AI në Amazon.
“Synimi i [programit] ‘Gati për AI’ është të ndihmojë për ta bërë edukimin për AI të barabartë për të gjithë, me mbështetjen e nismave të reja që po i bëjmë sot”, theksoi ai.
Ai shtoi se Amazoni do t’i rrisë programet dhe kurset e tanishme falas për trajnim për AI “në mënyrë që ta largojmë koston si barrierë e qasjes në këto aftësi kritike”.