Albright: SHBA-ja dhe roli në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë, pyetje rreth kufijve?
Lokale

Albright: SHBA-ja dhe roli në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë, pyetje rreth kufijve?

10.May.2020 10:39
0

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar tani sikur dikur në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto komente përgjatë një diskutimi të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, të kryesuar nga Eliot Engel, rreth autoritarizmit, dezinformimit dhe qeverisjes së mirë gjatë pandemisë me koronavirus.

“Çfarë ka ndodhur, fatkeqësisht, është se tani ka pyetje rreth kufijve dhe asaj se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë, mirëpo mendoj se në shumë mënyra, më duhet ta them këtë me keqardhje, se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje me (presidentin serb, Aleksandar) Vuçiq dhe me atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë, e që ka pasur për rezultat një spastrim gjenocidal, të cilin e ka dënuar komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Albright.

Ajo me këtë deklaratë duket se u është referuar diskutimeve për shkëmbim kufijsh, që fillimisht janë shpërfaqur më 2018.

Në mesin e diskutimeve ka qenë edhe ideja që Serbia mund të marrë një pjesë të veriut të Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve nëse pajtohen të dyja palët, derisa brenda vendeve të Bashkimit Evropian, kjo ide ka nxitur reagime pro dhe kundër.

 

Dëmtimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së ka qenë njëra prej arsyeve të mbajtjes së mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në ditën e mbajtjes së këtij mocioni, Kurti, pati thënë se mocioni ka ardhur për shkak të pazareve të presidentit të Kosovës ,Hashim Thaçi për shkëmbim territorial me Serbinë.

“Jam i bindur që ka marrëveshje, praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takim që ishim”, ka thënë Kurti.

“Motori i kësaj është si të largohet kjo qeveri në mënyrë që t’i hapet shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pazarit të gatshëm për shkëmbim territorial”, pati deklaruar mes tjerash ai.

 

Mirëpo më vonë i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe i dërguari të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, patën thënë se nuk ekziston ndonjë plan sekret për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç “kanë spekuluar disa”.

Engel: Vuçiq po udhëheq me grusht të hekurt

Kryetari i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është duke udhëhequr aktualisht me grusht të hekurt dhe se po bën gjithçka që të dëmtojë demokracinë në Kosovë, duke tentuar të nxisë vendet drejt çnjohjes së shtetësisë së Kosovës.

“Zgjedhjet sapo janë mbajtur në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara tani duket se janë duke u larguar nga përkushtimi dypartiak që kemi pasur në administratat e kaluara, duke nisur me Clintonin, Bushin dhe të tjerët”, është shprehur ai.

 

Përgjatë debatit, Engel ka rikujtuar edhe një herë falënderimin e shprehur nga shqiptarët për popullin amerikan.

“Pavarësisht sa shumë mund të udhëtoni, ju nuk mund të gjeni kurrë një vend që përshëndet amerikanët me aq gëzim sikurse kosovarët. Unë kurrë nuk kam parë ndonjë vend që do dhe vlerëson amerikanët dhe është falënderues për atë që kemi bërë më 1999 për të parandaluar gjenocidin para syve të Evropës edhe një herë andaj më thyhet zemra, që në një mënyrë u kemi kthyer shpinën atyre njerëzve”, është shprehur mes tjerash ai.

Në mars të këtij viti, dy senatorë amerikanë, David Perdue dhe Rand Paul patën thënë se SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë nëse Kosova nuk e shfuqizon tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. 

Në ndërkohë ishte bërë i ditur edhe pezullimi i programeve të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) në vlerë të 50 milionë dollarëve amerikanë.

 

Ky program tanimë i pezulluar ishte fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë, siç janë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit.

Më pas, Qeveria në detyrë e Kosovës ka zëvendësuar taksën me reciprocitet për mallrat serbe, por jo edhe për ato të Bosnjës, vendim që nuk është mirëpritur nga autoritetet amerikane, pasi ato kanë kërkuar që të mos krijohen pengesa në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky dialog është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur edhe ishte vënë taksa nga autoritetet e Kosovës për mallrat e Serbisë./REL/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/lbrigh-thaci.jpg): failed to open stream: No such file or directory
PVD i kërkon kandidatët APN-së për deputet në zgjedhjet parlamentare (emrat tjerë)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration