Drejtuesi i Rijasetit të Serbisë, Sead ef. Nasufoviq, vizitoi Tërnocin e komunës së Bujanocit (foto)
Reisi i ri i Rijasetit të Republikës të Serbisë, prof. dr. Sead ef. Nasufoviq Nasufoviq, me bashkëpunëtorët e tij qëndroi në fshatin Tërnoc të komunë së Bujanocit në një ceremoni synetie, shumë të rëndësishme për jetën e myslimanit.Ceremonia e synetisë u zhvilluan në Xhaminë e re të Tërnocit, në të cilën morën pjesë mbi 150 mysafirë nga Lugina e Preshevës, Anamorava dhe Sanxhaku, shkruan Titulli.com.
Të pranishmit i përshëndeti Imami i Xhamisë, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës i Reisit të Rijasetit të Serbisë, duke i falënderuar për pjesëmarrje në këtë ceremonial synetie, të organizuar për djalin e tij Omerin.
Reisi prof. dr. Sead ef. Nasufoviq, nga Sanxhaku, i cili krenohet se është me origjinë shqiptare, tha se ndihet shumë I nderuar, që për herë të parë po e viziton Tërnocin dhe Luginën, po posaçërisht, që po merr pjesë në një ceremoni synetie me traditë islame 14 shekullore.
“Më bëhet qejfi, që ky rit me të cilin shquhet feja Islame, në jetën fetare dhe shëndetësore, po kultivohet në Luginë më shumë se në Sanxhak. Ndaj jam shumë i lumtur, që nga afër po e shikoj dhe po e ndiej këtë gazmend të veçantë rreth ritit të synetisë, i cili jo rastësisht, konsiderohet nga Pejgamberi, alejhi selam : “Pastërtia është gjysma e besimit”. (Muslimi)”, theksoi mes tjerash Reisi prof. dr. Sead ef. Nasufoviq.
Pas përfundimit të ceremonisë së synetisë dhe drekës solemne, mysafirët nga Sanxhaku, vizituan Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërnoc, me dëshirën e madhe që këto vizita të shpeshtohen në të ardhmen, të cilat i kontribuojnë frymës së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të popujve me besim të njëjtë e përkatësi kombëtare të ndryshme./Titulli.com/