Lokale
Bujanoci humb miliona, stagnon me punime në infrastrukturë
Buxheti i Drejtoratit për Ndërtim, respektivisht i komunës së Bujanocit do të zvogëlohet për së paku 25 milionë dinarë pas largimit nga puna të 17 punëtorëve të cilët gjykata tani po i kthen në punë, duke e vlerësuar vendimin e padrejtë të udhëheqësisë së tanishme të kësaj ndërmarrje publike.
Gjatë një interviste të realizuar me ish drejtorin e Drejtoratit për Ndërtim, juristin Driton Rexhepi, që udhëhoqi këtë ndërmarrje gjatë periudhës 2009-2012 kemi mësuar se paralizimi i kësaj ndërmarrje që po e shohim tani është si pasojë e keqmenaxhimit dhe kolapsit që mbretëron në këtë ndërmarrje.
“Sot, për fatin e keq të qytetarëve, Drejtorati është kthyer në pikën zero, jo që nuk është zgjeruar aktiviteti i saj me veprimtari shtesë shërbyese, por edhe veprimtaria bazë është rrezikuar së funksionuari shkaku i keqmenaxhimit dhe paaftësisë profesionale të menaxhmentit. Në pozita menaxheriale, emërohen në vend të arkitektëve, profile jo adekuate për veprimtarinë bazë të Drejtoratit. Konkurrenca jolojale për prokurimet me vlerë të vogël, ka favorizuar firma private të afërta me pushtetin, kjo krijon hapësirë për korrupsion”, është shprehur Rexhepi.
Ai ka folur edhe për përjashtimin e shqiptarëve nga kjo ndërmarrje ku ka theksuar se edhe përkundër paralajmërimeve me shkrim nga ana e shërbimit juridik të Drejtoratit, se largimi i punëtorëve është kundërligjor, hakmarrja politike e orkestruar nga partia në pushtet, gradualisht po merr përfundimin.
“Prishja e statusit të marrëdhënies së rregullt të punës 17 punëtorëve, të gjithë shqiptar, Drejtoratit deri në përfundim të proceseve gjyqësore do t’i kushtojë afër 25 milionë dinarë, shkurt i bie 50 % e pozicionit të buxhetit për investime kapitale. Gjithë punëtorët po kthehen në punë, gjykatat po ia vërtetojnë marrëdhënien e punës me status të përhershëm pune, por se qytetarët nga buxheti i komunës do duhet t’i shkurtohen të drejtat për këtë vlerë si pasojë e tekeve për hakmarrje politike”, shprehet ish drejtori Driton Rexhepi.
Në këtë intervistë, për herë të parë për publikun, juristi thekson se në raportin 6 mujor të vitit 2013, për një ditë janë firmosur 17 kontrata për investime në vendbanimet serbe si në Banjë të Bujanocit, Baralevc, Kërshevicë, Karadnik, Llopardincë, Rakoc, Spancevc, Klenik, …etj.
“Në uebportalin tuaj kam lexuar shkrime se si qytetarët mbushin gropat me rërë për t’i bërë te kalueshme rrugët lokale, kurse përgjegjësit heshtin, sepse mjetet i kane dërguar në riparimin e kishave dhe varrezave serbe”, thotë mes tjerash ish drejtori i Drejtoratit për Ndërtim, Driton Rexhepi./Titulli.com/
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!