Tërhiqet trupi i pajetë i kosovarit me nënshtetësi norvegjeze që vdiq në një burg në Serbi
Një shqiptar i Kosovës vdiq në rrethana ende të paqarta në një burg në Beograd, A.Z, me nënshtetësi norvegjeze humbi jetën më 26 nëntor.
Klankosova.tv nga burimet e saj merr vesh se tashmë familjarët e kanë tërhequr trupin e pajetë.
Ky burim bën me dije se tashmë janë rrugës për në Norvegji.
Me të mbërritur atje do të bëhet edhe obduksioni për të mësuar shkaqet e vdekjes së të riut.
Klankosova.tv mëson se pas marrjes së raportit të obduksionit, familja do të deklarohet lidhur me rastin.
Ministria e Jashtme të Norvegjisë ka konfirmuar për Klankosova.tv se një person me nënshtetësi norvegjeze ka vdekur në një burg në Serbi, por pa dhënë detaje tutje nëse viktima është një kosovar.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë është në dijeni për vdekjen e një shtetasi norvegjez në Serbi. Shërbimi i Jashtëm norvegjez i ka njoftuar të afërmit dhe ka ofruar ndihmë konsullore. Autoritetet lokale janë përgjegjëse për kushtet e burgjeve në Serbi, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve. Çdo pyetje në lidhje me një hetim të mundshëm të rrethanave të vdekjes duhet t’u drejtohet autoriteteve serbe”, thuhet në përgjigje.