"Të tërhiqen vendimet për largimin e punëtorëve nga Drejtoria për Ndërtim" në Bujanoc
Forumi Rinor i Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc ka reaguar ndaj vendimeve të drejtorit të ndërmarrjes publike "Drejtoria për Ndërtim" Agim Haliti për largimin e punonjësve shqiptarë nga puna dhe zëvendësimin e tyre me punonjës joprofesional në pozita ta caktuara të punës.“Agim Haliti si duket nuk po ngopet me budallallëqet e tija. Ai, me të marrë mandatin e drejtorit të këtij institucioni kishte larguar një numër të madh të punëtorëve shqiptar nga puna. Por kjo si duket nuk i mjaftoi. Ai përsëri largon nga puna shqiptarët të cilët vetëm disa muaj më parë i kishte kthyer gjykata në punë. Ai po largon nga puna femra shqiptare, të cilat më parë i kishte detyruar t’i fshijnë rrugët fshatrave serbe”, thuhet në reagimin e FR të PVD-së dërguar Portalit Informativ-TITULLI.
Sipas reagimit në fjalë, Agim Haliti në shtator të këtij vitit ka larguar punëtorë me vendimin tepricë teknologjike.
“Me 12 Shtator të këtij viti, Agim Haliti ka shpallur tepricë teknologjike 5 punëtorët e Direkcionit për ndërtim. Të gjithë shqiptarë, të gjithë punëtorë ndër më të vyeshmit. Ai i kishte larguar ata, por, edhe shumë shokë të tyre nga puna vitin e kaluar, por të kthyer në punë pas gati një viti, me vendimin e gjykatës së Nishit”, thuhet në reagimin e Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc.
FR i PVD-së i bënë thirrje publike Agim Halitit që t’i tërheq këto vendime e të mos i largojë nga puna kuadrot shqiptare të cilët po zëvendësohen nga persona joprofesional dhe shpeshherë edhe familjarë të drejtorit të kësaj ndërmarrje./Titulli.com/