Surroi thotë se është naivitet të mendosh se Serbia e lëshon Luginën e Preshevës, tregon edhe arsyen (Video)
Publicisti Veton Surroi në një intervistë për Ora News, thotë se është naivitet të mendosh se meqë Lugina e Preshevës kërkon të bashkohet me Kosovën, kjo mund të shtrohet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.Sipas tij, Serbia është shtet sovran dhe Kosova nuk është e njohur ende prej saj, çka mund t’i bënte të dyja shtetet të barabarta.
Ai thotë se ideja për shkëmbimin e territoreve është që tani precedent i rrezikshëm.
Pjesë nga intervista:
-Në retorikën e dy presidentëve Thaçi-Vuçiç është përmendur togfjalëshi marrëveshje e dhimbshme. A duhet të bëjë Kosova kompromis për hir të njohjes nga Serbia?
Surroi: Nuk e di pse duhet të jenë të dhimbshme marrëveshjet. Dy shtete të pavarura duhet të gjejnë interes të përbashkët dhe interesi i përbashkët i tyre është zhvillimi i marrëdhënieve dhe nuk po shoh dhimbje aty dhe pse të dramatizohet një proces aty ku duhet të ecim përpara drejt gëzimit dhe jo dhimbjes. Serbia ka përafruar disa interesa strategjike që nuk kanë të bëjnë vetëm me Kosovën dhe ajo çka është me rëndësi çka kërkon Kosova në këtë rast dhe jo ç’ka kërkon Serbia.
-Ju jeni shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Mendon se është realist ky plan?
Surroi: Nuk mendoj se është realist, por përpjekje për të acaruar më shumë situatën në mënyrë që në vend të zgjidhjes, të krijohen probleme të reja, në mënyrë që të krijohen dhe të përtërihen depërtime të reja strategjike. Për Serbinë është me rëndësi që Kosova në këtë fazë të mbetet kështu siç është. Serbia nuk shikon një ardhmëri mes dy shteteve të barabarta dhe deri sa të mbërrijë ai moment nuk do të ketë marrëveshje.
Është naivitet i madh të mendohet se Serbia do të cedojë Luginën e Preshevës si tërësi. Serbia ka gati 150 vjet atë Luginë që të çon deri në Vardar e konsideron si interes strategjik të vetën. Shtetet të cilat mund të bisedojnë për korrigjime kufijsh janë shtete që e kanë njohur njëra-tjetrën, e kanë tejkaluar çështjen e luftërave dhe pastaj kanë hyrë në çështje që mund të kalohen nga politika në gjeografi, këtu po kalohet nga gjeografia në politikë dhe kjo është një hyrje për procese të reja konfliktuoze.
-Mund të përbëjë një precedent të rrezikshëm?
Surroi: Që tani është precedent i rrezikshëm. Për shembull tek shqiptarët e Maqedonisë që duhet të dalin për referendum në shtator dhe nëse atyre u jepet një hamendësim se ndoshta do të bëhet korrigjimi i kufijve në vend të mobilizimit të plotë mund të vihet në pyetje rezultati i referendumit dhe atëherë do të përmbushet një ambicie e madhe e Rusisë për depërtimin e mëtejshëm të NATO-s në Ballkan.
-Ka një kërkesë nga ana e shqiptarëve në Serbi?
Surroi: Është naive, kërkesa ka ekzistuar që nga referendumi i vitit 1992. Është lojë fëmijësh të thuash se meqë Lugina e Preshevës kërkon që të jetë pjesë e Kosovës, t’i hyjmë këtij procesi. Serbia është vend sovran dhe Kosova kërkon t’i respektohet sovraniteti i vet. Natyrisht nuk mund të anashkalojë sovranitetin e Serbisë. Për sa kohë Kosova dhe Serbia nuk kanë përfunduar me njohjen e ndërsjellët nuk mund të flasim për asnjë gjë sepse nuk jemi palë.
-Themelimi i asociacionit mund të përbëjë shkelje të Kushtetutës
Surroi: Çdo bisedë për një rrafsh të tretë të pushtetit është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës ka mbërritur deri tek kufijtë e funksionalitetit. Ta lëvizësh më tutje çështjen e shpërndarjes së pushteteve do të thotë ta bësh më jo efikase.
Kosova nuk përfaqësohet nga Thaçi, Vuçiç mund të përfaqësojë politikisht Serbinë sepse ka 70 e kusur për qind të përkrahjes politike dhe është një sistem tjetër politik. Në rastin e Kosovës, Thaçi nuk ka mbështetjen e përfaqësimit politik..
Angazhimi i Tiranës
Surroi: Nuk kam dëgjuar shumë angazhim të Tiranës zyrtare. Di që ministri Bushati është shprehur kundër ndarjes si një opsion i cili është brengosës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do të ishte i mirëseardhur të kishim një prononcim nga ai (Rama).
Debati Thaçi-Berisha
Surroi: Nuk mendoj se në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përdoret një gjuhë e tillë. Është e drejtë legjitime e ish-Presidentit Berisha që të prononcohet për çështje të rëndësishme në Kosovë. Është e rëndësishme që në Kosovë të dëgjohet dhe jo të disikualifikohet mendimi që mund të jetë kritik ndaj zhvillimeve.