Studentët serbë mbërritën në Novi Sad pas marshimit dyditor
Studentët serbë kanë mbërritur mbrëmjen e së premtes në Novi Sad, pas një marshi dyditor nga Beogradi, për të protestuar kundër shembjes vdekjeprurëse të një strehe në stacionin e trenit, e cila, sipas tyre, ndodhi si pasojë e korrupsionit.
Studentët protestues mbanin në duar kurora me emrat e 15 njerëzve që vdiqën nga shembja e strehës në stacionin e Novi Sadit më 1 nëntor.
Ata pritet të marshojnë së bashku me studentët e Novi Sadit nëpër rrugët qendrore të qytetit deri në stacionin e trenit, ku do të bëjnë homazhe për viktimat.
Më 1 shkurt, studentët nga Beogradi do të bashkohen me kolegët e tyre nga Novi Sadi për t’i bllokuar tri ura mbi lumin e Danubit.
Në këtë mënyrë, ata do ta shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 njerëzve nga shembja e strehës prej betoni.
Një grup tjetër studentësh, që ishin nisur nga Beogradi me biçikleta, mbërritën më herët në Novi Sad dhe u pritën nga çiklistët e Novi Sadit para stacionit të trenit.
Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.
Rruga e marshimit u sigurua nga rojet e studentëve dhe policia.
Kolona shoqërohej nga një ambulancë dhe një cisternë uji.
Ata u ndalën për pushim të enjten në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojë siguri për marshin e studentëve, duke i përcjell edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.
Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz.