Studentët e Luginës (nuk)duan të studiojnë në Gjilan!
Universiteti i Gjilanit mbylli sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj, aplikojnë vetëm 35 maturant nga Lugina, përderisa të lira mbesin edhe 450 vende për studentë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja.Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar rreth 2 mijë maturantë deri në ditën kur edhe është mbyllur konkursi.
Në bazë të statistikave, ne të gjitha fakultetet interesimi është mjaft i madh, por fakulteti më i preferuar vazhdon të mbetet ai i Edukimi gjegjësisht programi fillor.
Universiteti “Kadri Zeka”, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2014-2015, do të regjistrojë 2.184 studentë, prej të cilëve 1.824 studentë të rregullt dhe 360 studentë me korrespondence, në kuadër të këtij numri do të përfshihen edhe studentët e Luginës së Preshevës.
Përkundër faktit se për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ishin të rezervuara 485 vende, në te kanë aplikuar vetëm 35 studentë, 16 në drejtimin e edukimit, 9 në juridik, 8 në ekonomi dhe 2 në shkenca kompjuterike.
Vaxhid Sadriu, Sekretar i Përgjithshëm i Universitetit ”Kadri Zeka” në Gjilan tha për portalin informativ 2L ONLINE se procesi i aplikimit ka shkuar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik.
“Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshëm, është administruar në mënyrë efikase. Nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsie në procesin e pranimit të aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik - online”, tha Sadriu.
Ndërkohë, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan më 25. 07.2014 do të mbahen provimet pranues, ora e mbajtjes së provimit pranues dhe salla do të shpallet në web faqen e universitetit www.ugj.org më datë 23.07.2014, kurse më 29 korrik 2014 shpallen rezultatet.
Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit,kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, me date 30 dhe 31 korrik 2014. /Titulli.com/