Stoltenberg: NATO nuk do të lejojë konflikt të gjerë në Ballkan (video)
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë më 20 nëntor se aleanca po shqyrton nëse është i nevojshëm shtimi i përhershëm i pranisë ushtarake në Ballkan.
Stoltenberg i bëri këto komente duke iu referuar sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Stoltenberg, erdhi në Prishtinë pas vizitës në Bosnje e Hercegovinë ku tha se NAT0-ja është e shqetësuar me idetë e ndarjes dhe me ndikim rus.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë më 20 nënor se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.
“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.
“Ne vërtetë po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.
Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake "që përfshin Bosnje e Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën".
"Përgjegjësit për sulmet duhet të përballen me drejtësinë"
Duke folur për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nga një grup i serbëve të armatosur, ku mbeti i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku, Stoltenberg tha se përgjegjësit për sulmin duhet të përballen me drejtësinë.
Ai tha se këtë mesazh do ta përcjellë edhe gjatë takimeve që do të zhvillojë më 21 nëntor në Beograd.
“Në shtator ne pamë një shpërthim serioz të dhunës në veri të Kosovës, që rriti shqetësimet se një konflikt i gjerë mund të rikthehej në Ballkanin Perëndimor. Në maj, trupat tanë të KFOR-it u sulmuan, me ç’rast u plagosën 93 ushtarë, disa rëndë, disa me plagë të përjetshme”, tha Stoltenberg.
“Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, shtoi shefi i NATO-s.
Për sulmin në Banjskë, Kosova e ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
"Themelimi i Asociacionit hap kyç drejt normalizimit"
Stoltenberg po ashtu mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Themelimi i Asociacionit “do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”, tha Stoltenberg.
I pyetur për mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe të aleancës ushtarake perëndimore, Stoltenberg tha se për këtë kërkohet vendim unanim i të gjithë anëtarëve të aleancës.
Për çështjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor foli edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se ai shihet në tri aspekte. E para, sipas saj është propaganda që mbështet qëndrimin e Serbisë sa i përket destabilizimit të rajonit. E dyta, janë armët që Rusia ia shet Serbisë, e të cilat më pas Serbia i përdor për të sulmuar Kosovën apo shtetet tjera. Dhe aspekti i tretë është mbështetja politike që Rusia i jep vazhdimisht Serbisë në përpjekjet për destabilizim.
“Këto bëhen këto të tria bashkë, është tepër e qartë që është në interes të Rusisë që të hapë edhe një front kundër Perëndimit. Dhe natyrisht këtë front dëshiron ta hapë në pjesë të Evropës të cilat ende nuk janë pjesë e NATO-s. Prandaj, kjo e bën edhe më imperative anëtarësimin tonë në NATO”, tha Osmani.
Osmani sërish fajësoi Serbinë për sulmin në Banjskë dhe shtoi se NATO-ja duhet të përcjellë një mesazh të qartë ndaj Beogradit: tërheqjen e trupave serbe nga afërsia e kufirit me Kosovën dhe mbylljen e qendrës humanitare serbo-ruse në Nish të Serbisë, që sipas Osmanit, shërben si një qendër spiunazhi.
Ajo tha se ka shqetësime që sulme sikurse ai në Banjskë mund të përsëriten, prandaj kërkoi që Serbia të ndëshkohet. Sipas Osmanit, informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë thonë se përmes strukturave ilegale, paramilitare, Serbia po vazhdon "të bëjë organizime të reja".
“Roli i NATO-s dhe KFOR-it në parandalimin e destabilizimit të Kosovës është vendimtar”, tha Osmani, duke iu referuar incidentit të armatosur në Banjskë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, shefi i NATO-s do u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
"Takime të mira me Osmanin dhe Kurtin mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. NATO do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet", shkroi Stoltenberg në X, që më herët njihej si Twitter.
Para Kosovës, Stoltenberg qëndroi në Bosnje e Hercegovinë, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Në Sarajevë shefi i NATO-s tha se aleanca është e shqetësuar me retorikën e ndarjes dhe me ndikimin rus në rajon.
Shefi i NATO-s porositi që të gjithë të përkushtohen për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.
Vizita e Stoltenbergut në rajon vjen mes paralajmërimeve nga Ukraina se Rusia synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian ka ndarë shqetësimet e Ukrainës, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.
SHBA: Agresioni rus ndaj Ukrainës vë në pah urgjencën për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor
Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, ka folur më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska po dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.
Pas Kosovës, shefi i NATO-s më 21 nëntor do të qëndrojë në Serbi, ku është paraparë të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren e këtij shteti Ana Bërnabiq. Po të njëjtën ditë, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti.
Më 22 nëntor ai do të përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob.