Lokale
Skandaloze, pushteti lokal “nuk përfill” gjuhën shqipe (video)
Organizimi i Panairit Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Potencialeve Investive në Bujanoc nuk kaloi pa skandal edhe ate jo i vogël
Në këtë Panair tashmë tradicional në të cilin morën pjesë personalitete të ndryshme nga sektorë të ekonomisë të shteteve fqinje dhe diplomatë të huaj edhe pse nuk u tha në fillim, vuri në siklet kryetarin e komunës së Bujanoci Nagip Arifin.
Kryetarit iu ‘shkri’ buzëqeshja qysh me fillimin e vizitës së stendave, ku natyrisht e para ishte e komunës së Bujanocit. Qysh në ndalesën e parë vjen gafa e madhe.
Broshura informuese rreth potencialeve të kësaj komune e përgatitur nga Zyra për Zhvillim Ekonomik Lokal kishte “harruar” të shkruaj shqip, pasi në këtë stendë broshurat ishin vetëm në gjuhën serbe dhe angleze, ndërsa shumica e mysafirëve nga vendet fqinje por edhe e vizitorëve ishin shqiptar.
Këtë e vërejti edhe Arifi i cili shoqëronte Zëvendësministren e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Republikës së Shqipërisë, Brunilda Paskali, me ç’rast kjo e fundit u detyrua të marrë një broshurë në gjuhën angleze.
Gazetarët e portalit informativ Titulli që përcollën këtë ngjarje me rëndësi për komunën e Bujanocit, kërkuan nga dy kujdestarët e rinj të kësaj stende broshurën në gjuhën shqipe, mirëpo si në herën e parë edhe në konfirmimin e dytë ata deklaruan se nuk posedojnë këtë tekst informues në gjuhën shqipe.
Arifi e vërejti këtë “gabim” të stafit të tij dhe e përshpejtoi ecjen e Zëvendësministres Paskali për në stendën tjetër, mirëpo ky moment nuk i iku gazetarëve të Titullit.
Në këtë Panair i cili qëndroi i hapur nga 9 deri më 11 maj u ekspozuan prodhime të shumta të ndërmarrjeve nga rajoni.
Përveç këtij Panairi komuna e Bujanoci, për të martën (13 maj) ka paralajmëruar hapjen e “Panairit të parë të arsimit” ku nxënësit që përfundojnë shkollën e mesme do të mund të njoftohen për vazhdimin e shkollimit në ndonjërin nga universitet nga rajoni, ndërsa nxënësit që përfundojnë arsimin fillor do të mund të njihen me drejtimet dhe profilet e shkollave të mesme.
Hapja solemne do të bëhet në orën 12 në sallën e sportit “Rinia” në Bujanoc. Shpresojm që gafa të ngjashme të mos ndodhin edhe në këtë Panair të arsimit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!