Lokale
Skandaloze: Ministria e Shëndetësisë la pa specializim mjekët e Luginës
Edhe pse ishte paralajmëruar kuota prej 10 kandidatëve për specializim të mjekëve nga komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kjo sipas kandidatëve që kanë aplikuar nuk është respektuar.
Konkursi i hapur ka lënë jashtë mjekët e Luginës, megjithëse ata kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar për të cilin edhe ishin njoftuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar me seli në Bujanoc.
Problemi është shfaqur kur Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës nga mjekët e Luginës, për të konkurruar në këtë konkurs specializimi, i ka kërkuar licencën e Republikës së Kosovës, të cilën natyrisht ata nuk e posedojnë.
Pikërisht për çështjen e licencës Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) kishte njoftuar mjekët e Luginës se ka arritur marrëveshje me Ministrinë përkatëse që kandidatët e Luginës (Bujanocit, Preshevës e Medvegjës) do të jenë të lirë nga kjo pikë.
KKSH: “Të ketë së paku një (1) vit përvojë pune nga data e licencimit (kjo nuk vlen për kuotën e rezervuar për Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe Mal të Zi)”.
“Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kërkon që mjekët nga Lugina të konkurrojnë me licencë të Republikës së Kosovës (e për t'u pajisur me këtë duhet letërnjoftimi i R. së Kosovës). Rrjedhimisht, ai që ka licence të Kosovës është shtetas i R. së Kosovës dhe do të konkurronte pa problem si shtetas i Kosovës dhe jo i Luginës së Preshevës!”, i tha portalit Titulli mjeku nga Bujanoci Amir Rexhepi, të cilit nuk i është pranuar aplikimi.
Ai shpjegoi se nga ana tjetër si shtetas të huaj pranohen mjekët e Republikës së Maqedonisë, mirëpo e njëjta nuk ndodhë edhe me kolegët e tyre nga Lugina e Preshevës.
“Më vjen keq që Këshilli Kombëtar nuk mund të lavdërohet me këtë rast se beri diçka për mjeket nga Lugina e Preshevës! E as disa politikan aktual që po dështojnë për ditë e më shumë...”, tha mjeku Amir Rexhepi.
Ai sqaron se rasti është i tillë që, nga njëra anë ndahet kuota për Luginën dhe dihet se mjekët nga Lugina kanë licencë të Serbisë, kurse nga ana tjetër kërkohet licenca e Kosovës.
Për këtë problematikë mjeku nga Bujanoci iu ka drejtuar edhe ministrit si dhe asistentit të tij, mirëpo deri në këtë moment nuk ka marrë përgjigje.
Pakënaqësitë ai i ka paraqitur edhe në KKSH e cila edhe “siguroi” kuotën prej 10 specializimeve dhe bëri një listë me emrat e mjekëve, mirëpo zyrtarët e saj i kanë thënë kandidatit se kanë dërguar vetëm një shkresë dhe asgjë më shumë./Titulli.com/
NJOFTIMI I KKSH-së PËR SPECIALIZIM TË MJEKËVE TË LUGINËS
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!