Sinani në Shkup: Do nisin procedurat për binjakëzimin e komunave Preshevë-Çair
Ardita Sinani, kryetare e komunës së Preshevës së bashku me Sami Salihun, kryetar i kuvendit komunal janë pritur në komunën e Çairit dhe sipas tyre do të fillojnë procedurat për binjakëzim mes dy komunave.
Postimi i plotë në Facebook nga Ardita Sinani:
Sot, nga Çairi edhe zyrtarisht u pajtuam të nisim procedurat për binjakëzimin e komunave tona, të cilin e diskutuam fillimisht në takimin e fundit në Tiranë, të Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon.
Së bashku me kryetarin e Kuvendit e Komunal të Preshevës, z.Sami Salihu, falenderuam kryetarin e Komunës së Çairit, z.Visar Ganiu, për mikëpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin e tij për ta jetësuar këtë partneritet të ri ndërkomunal.
Ky institucionalizim i bashkëpunimit është fuqizim i lidhjeve ekzistuese kulturore e shoqërore midis Preshevës dhe Çairit/Shkupit, por sidomos mundësi për të bashkëvepruar në zhvillimin e komunave tona, përmes programeve dhe fondeve tejkufitar.
Ekonomia, mjedisi, arsimi, kultura dhe sporti janë vetëm disa nga fushat ku do të bashkërendohemi dhe bashkëpunojmë.
Ky është vetëm fillimi.
Tashmë edhe më afër, edhe më bashkë.
Se bashkë mundemi më mirë !
Urime