Sinani: Fitorja e PVD-së e pakontestueshme, koalicioni me PDSH-në vetëm për shqiptarët?
Lokale

Sinani: Fitorja e PVD-së e pakontestueshme, koalicioni me PDSH-në vetëm për shqiptarët?

22.Nov.2017 10:28
0
Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, thotë se "Plani aksional për migrantë", të cilin e ka nënshkruar Shqiprim Arifi, kryesues i Organit të Përkohshëm Komunal, parasheh ndërtimin e banesave dhe të shtëpive për refugjatët serbë nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova, të cilët janë shpërngulur në Serbi si rrjedhojë e luftërave në Ish-Jugosllavi.

Sipas saj, ky plan ka për qëllim politik ndryshimin demografik të banorëve të Preshevës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ajo po e akuzon Shqiprim Arifin, kryesues i organit të përkohshëm komunal, se po bën veprime që kanë për qëllim politik ndryshimin demografik të kësaj komune, duke ndërtuar banesa dhe shtëpi për refugjatët serbë nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova.

Sinani gjatë një interviste për gazetën “Zëri”  ka mohuar se këto akuza për ish-partnerin qeverisës po i bën për shkak të prishjes së koalicionit dhe vendimit që Presheva të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 24 dhjetor të këtij viti, duke u arsyetuar se ky problem ishte njëri ndër shkaqet kryesore që ndikoi në prishjen e koalicionit me partinë e Shqiprim Arifit (APN-në).

“Pra, ne e kemi kundërshtuar që në fillim publikisht këtë dokument djallëzor, i cili ka për qëllim ndryshimin e strukturës etnike të Preshevës”, ka thënë mes tjerash Sinani.

Znj. Sinani, javë më parë keni prezantuar një plan për kolonizimin e Preshevës me refugjatë serbë, të cilin e ka demantuar kryetari në detyrë Shqiprim Arifi duke ju akuzuar për manipulim. Cila është e vërteta e dokumenteve që keni prezantuar ju, si dhe ato që i ka prezantuar Arifi?

Sinani: Kryetari i emëruar me zarf nga Vuçiqi, Shqipërim Arifi, ka nënshkruar pa asnjë ndryshim dokumentin e qeverisë serbe të quajtur “Plani aksional për migrantë”, plan i cili parasheh ndërtimin e banesave dhe të shtëpive për refugjatët serbë nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova, të cilët janë shpërngulur në Serbi si rrjedhojë e luftërave në Ish-Jugosllavi. “Plani aksional për migrantë” ka për qëllim politik ndryshimin demografik të banorëve të Preshevës e që bie në kundërshtim me dokumentet ndërkombëtare që sigurojnë mosndryshimin artificial të strukturës së popullsisë së një vendbanimi. Ne e kemi kundërshtuar fuqishëm dhe e kundërshtojmë më tej. Si praktikë e tillë është e dëmshme për shqiptarët në Preshevë.

Ka disa ditë që flisni për një rrezik të kolonizimit me refugjatë serbë të kësaj komune me shumicë shqiptare. Për disa muaj sa ishit në udhëheqje komunale nuk e përmendët asnjëherë këtë rrezik, madje as kur e prishët koalicionin me partinë e Shqiprim Arifit. A erdhi ky rrezik pasi ju u larguat nga pushteti?

Sinani:Ky konstatim juaji nuk qëndron. Sigurisht se kjo çështje është diskutuar e është kundërshtuar nga momenti që kemi pasur dijeni për këtë dokument, andaj edhe anëtarët e PVD-së në Këshillin Komunal e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë dhe janë detyruar që ta braktisin mbledhjen e këtij organi. Përndryshe, ky problem ishte njëri ndër shkaqet kryesore që ndikoi në prishjen e koalicionit me APN-në. Pra, ne e kemi kundërshtuar që në fillim publikisht këtë dokument djallëzor, i cili ka për qëllim ndryshimin e strukturës etnike të Preshevës. 

Çka konkretisht parashihet me planin e kolonizimit të Preshevës, kur do të fillojë të zbatohet, sa refugjatë do të vendosen, si dhe a mund të ndryshojë struktura etnike në Preshevë, në të cilën jetojnë 95 për qind shqiptarë?

Sinani:Së pari dua të potencojë qëllimin e mbrapshtë politik për ndryshimin etnik të komunës së Preshevës sepse është një praktikë e rrezikshme e që është në kundërshtim me dokumentet ndërkombëtare që rregullojnë këtë problematikë. 
Jam e vetëdijshme se struktura etnike e Preshevës nuk mund të ndryshojë brenda natës, mirëpo vetë strategjia e këtij dokumenti është e dëmshme dhe duhet që në start të kundërshtohet për të mos lejuar legalizimin e kësaj strategjie e që është e rrezikshme në periudhë afatgjate. Posaçërisht është i rrezikshëm plani jo vetëm për ndërtimin e shtëpive, por edhe sigurimin e punësimit e krijimit të kushteve të tjera për jetë për këtë grup refugjatësh në rrethana kur popullatës shqiptare i mungojnë kushtet elementare për jetë.

Keni deklaruar disa herë se Shqiprim Arifin e përkrah presidenti Vuçiq. Pse kjo përkrahje për të kur deputeti i partisë suaj në parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, e ka përkrahur qeverinë e Serbisë?

Sinani:Paradoksale. Z. Hasani pasi ka marrë premtimin për negocimin dhe për realizimin e "Planit shtatëpikësh" nga viti 2013 që siguron realizimin e drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ka vepruar në mënyrë transparente në frymën e një bashkëpunimi institucional në drejtim të zgjidhjes së problemeve jetësore të shqiptarëve të Luginës. Deputeti Hasani ka dorëzuar kërkesën me shkrim, të nënshkruar edhe nga unë dhe nga kryetari i Bujanocit për 200 vende pune d.m.th. për integrimin e shqiptarëve në institucionet publike.
Ndërkaq, kryetari i zarfit nëpërmes lidhjeve të dyshimta me koordinatorin e Vuçiqit nga Surdulica, në mënyrë antikushtetuese dhe joligjore është emëruar kryetar i Organit të Përkohshëm që u shndërrua në organ të dhunshëm kur i tërë monopoli në udhëheqjen e Komunës së Preshevës iu sigurua treshes në përbërje prej dy anëtarë të APN-së dhe një anëtari të partisë së Vuçiqit.
Është me rëndësi të theksohet se në paraqitjet publike të përfaqësuesve të APN-së akuzohen subjektet e deritanishme politike shqiptare për pozitën shumë të rëndë të popullatës shqiptare duke amnistuar politikat diskriminuese antishqiptare të qeverive të deritanishme të Serbisë që nga koha e Millosheviqit. A s’është pikërisht amnistimi për diskriminimin që i duhet Serbisë në procesin e integrimit të saj në BE?

Ju dhe Arifi keni qëndruar një kohë të shkurtër në pushtet, cilat janë sukseset tuaja në krye të Komunës dhe cilat të Arifit?

Sinani: Pas zgjedhjeve të vitit 2016 u ndërtua koalicioni PVD-APN duke ia mundësuar udhëheqjen e ekzekutivit kryetarit të APN-së meqë ata kishin një këshilltar më tepër. Që në fillim të udhëheqjes me këtë koalicion filloi paraqitja e problemeve të mëdha si pasojë e qasjes joserioze dhe joprofesionale lidhur me shumë çështje të rëndësishme jetësore e që imponoheshin nga kryetari i atëhershëm i Komunës. Kjo qasje pati për pasojë keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e buxhetit komunal për shkak të mungesës së njohurive elementare të problemeve të ndjeshme me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë dhe qëndrimeve të tij autokrate.

Flitet se në Preshevë ka përafrim të qëndrimeve mes PVD-së dhe PDSH-së së ish-kryetarit të Komunës Ragmi Mustafa. A janë duke ndodhur këto përafrime me qëllim të dobësimit të APN-së?

Sinani: Në hapjen e fushatës parazgjedhore të PVD-së kam potencuar se PVD-ja ka koalicion vetëm me qytetarët e komunës së Preshevës, ndërkaq janë të natyrshme reagimet jo vetëm të PVD-së dhe të PDSH-së, por të të gjitha subjekteve politike të cilat veprojnë në këtë komunë kundër një serie të deklaratave të udhëheqësve të APN-së që janë të sinkronizuara me qëndrimet antishqiptare, të sajuara në kuzhinat qendrore të Beogradit.

Si e shihni skenën e re politike në Preshevë pas 24 dhjetorit? Ndoshta, me një koalicion PVD-PDSH?

Sinani: Më 25 dhjetor do të festojë Presheva fitoren e udhëhequr nga PVD-ja, fitore kjo që tregon pjekurinë, maturinë dhe vizionin tonë për të ruajtur substancën kombëtare në këtë komunë dhe për të përmbysur misionin e vasalëve të Vuçiqit. Do të bashkëpunojmë me ata që kërkesat politike të shqiptarëve i kanë prioritet.

 A ia keni frikën APN-së se do t'ju mundë në këto zgjedhje?

Sinani: Kjo pyetje nuk është e bazuar në realitet. Fitorja jonë është e pakontestueshme. E vetmja frikë reale mund të jetë nga manipulimet dhe rreziku për përdorimin e mekanizmave të qeverisë së Serbisë për ta përmbysur fitoren tonë bindëse që do ta kemi. Por, ne jemi të gatshëm të përballemi me çdo sfidë që na del përpara.

Nëse zgjidheni kryetare më 24 dhjetor a do të bashkëpunoni me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë për ta parandaluar kolonizimin e Preshevës?

Sinani: Në vazhdimësi këtë e kemi kërkuar dhe sigurisht do të bashkëpunojmë për të gjitha çështjet me rëndësi të posaçme për shqiptarët e Preshevës. 

RTV "Presheva" reagim ndaj organit të përkohshëm: Tendencë e mbylljes së mediumit?
Bujanoc: 20 mijë dinarë dëmshpërblimi nga kafshimi i qenve endacak
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration