
Shqiptarët e Luginës: Po trajtohemi si qytetarë të padukshëm
Kryetari i Shoqatës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë, Nehat Hyseni, i ka shkruar letër Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministrit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqit, përmes së cilës i ka shprehur shqetësimet për faktin se Qeveria e Kosovës në bisedimet e Brukselit dhe Marrëveshjen e 19 prillit 2013, nuk e përfshiu fare çështjen e Luginës.
Në këtë letër shqiptarët e Luginës shprehin shqetësim edhe për obligimin kushtetues për të cilën thonë se Qeveria nuk e ka kryer, e cili ka të bëjë me shtimin e kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës; vendosjen e reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë me shqiptarët në Luginë; kujdesin e Kosovës për të zhvendosurit nga Lugina, organizimin e shkollimit dhe mirëqenies për shqiptarët atje; hapjen e zyrave për shqiptarët e Luginës në Prishtinë dhe Gjilan,etj. “Konsiderojmë se kujdesi institucional i Republikës së Kosovës është i domosdoshëm, si për shqiptarët e shpërngulur të Luginës që jetojnë në Kosovë, prej të cilëve një pjesë e madhe nuk ka dokumentacion të Kosovës, e as të Serbisë, ashtu edhe për ndaljen e shpërnguljes së shqiptarëve që jetojnë në Luginë. Ata zyrtarisht trajtohen si ‘qytetarë të padukshëm’, pa mundësi lëvizjeje të lirë, me probleme e kokëçarje të mëdha që u shkaktohen atyre nga fakti se institucionet e Kosovës i trajtojnë si ‘jo kosovarë’, kurse në Serbi keqtrajtohen e diskriminohen si ‘jo serbë"”, thuhet në letër.