Shqipëria, 200 mijë euro Serbisë e Bosnjës, Luginës 50 mijë!
Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka miratuar ndihmën prej 200 mijë eurosh për Serbinë e Bosnje Hercegovinën, ndërsa Fondi i formuar për Luginën e Preshevës është harruar pas ndihmës prej 50 mijë eurosh të dhënë nga qeveria e Shqipërisë për maternitetin në Preshevë.Qeveria miratoi dhënien e ndihmës financiare prej 200 mijë euro për Qeveritë e Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në maj 2014. Vendimi parashikon që secilës qeveri t’i akordohet 100 mijë euro.
Në vendimin e Qeverisë përcaktohet se Ministrisë së Punëve të Jashtme, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 200 000 (dyqind mijë) eurosh, shpenzime korrente, për t’u përdorur si ndihmë financiare për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e muajit maj 2014, në Bosnjë – Hercegovinë dhe Serbi.
Ky fond të përballohet nga fondi i kontingjencës, miratuar për vitin 2014.
Nga ana tjetër Qeveria shqiptare ndau vetëm 50 mijë euro për Luginën e Preshevës, sa ndau edhe Qeveria e Kosovës.
Edhe pse të dy qeveritë shqiptare paralajmëruan formimin e Fondit për Luginën, deri më sot përveç kësaj ndihme simbolike, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nuk e kanë ndierë dorën e ndihmesës së vëllezërve të tyre, transmeton Titulli.
Vlen theksuar se ndihma prej 100 mijë eurosh e Shqipërisë dhe Kosovës edhe pse ka arrit në maternitetin e Preshevës, ai ende nuk është funksional./Titulli.com/