Lokale
Shpëtim Çaushi, faktor uniteti apo përçarjes në Luginë ?
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi ka qëndruar për një vizitë në komunën e Bujanocit dhe ka zhvilluar takime më përfaqësues institucional dhe politik, njëkohësisht ka promovuar abetaren mbarëkombëtare për nxënësit e klasës së parë.
Çaushi fillimisht është takuar me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar (organ partiak dhe jo i përkrahur nga spektri politik shqiptarë në Luginë) pastaj më ish prefektin e Bujanocit Shaip Kamberi dhe në fund me kryetarin e tanishëm të komunës së Bujanocit Nagip Arifin.
Ambasadori Çaushi, gjatë takimeve ka biseduar për zhvillimet e fundit në komunën e Bujanocit si dhe proceset politike në të cilat po kalon Lugina.
“Ne kemi qenë prezent në aktivitete të ndryshme jo vetën kulturore por edhe në ato arsimore e në veçanti për fakultetin që është hapur në Bujanoc. Qeveria e Republikës së Shqipërisë është shumë e interesuar të jep kontributin e vet në arsim”, tha Çaushi pas takimit me Arifin.
Edhe kryetari Arifi është shprehur i kënaqur me takimin dhe deklaroi se ka marrë garanci nga shteti shqiptarë që të ndihmojë shqiptarët si në aspektin kulturorë por edhe në ate arsimorë.
Ndërsa në takimin me KKSH-në, Çaushi tha se ambasada dhe qeveria e Shqipërisë kanë mbështetur dhe do të mbështesin fuqishëm edhe në të ardhmen Këshillin Kombëtar Shqiptar në kompetencat që ka ky organ.
Sipas disa burimeve të Titullit ambasadori Çaushi është angazhuar edhe në afrimin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes pushtetit lokal të Bujanocit dhe atij të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Këshillin Kombëtar Shqiptar deri më tani nuk e ka përkrahjen e pushtetit lokal të Bujanocit dhe Preshevës me arsyetimin se ky organ është themeluar për të mbrojtur interesat e partive të caktuara e aspak të popullit shqiptar në emër të së cilit vepron.
Vlen të theksohet se ambasadori, Shpëtim Çaushi ka qëndruar vetëm në komunën e Bujanocit sepse nuk ka raporte të mira bashkëpunimi me qeverisjen e Ragmi Mustafës në komunën e Preshevës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!