Serwer: Propozimi franko-gjerman ka mangësi, nuk përmendet reciprociteti brenda Serbisë për komunitetin shqiptar
Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer ka thënë se versioni i fundit i propozimit franko-gjerman, që po njihet tashmë si propozimi evropian, është një hap në drejtimin e duhur, porse ka mangësi ende.
Serwer në një vështrim në “Peacefare.net” ka përmendur se si në këtë version nuk përmendet çështja e të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi, e po ashtu nuk përmendet njohja e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.
“Versioni i fundit i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është një hap në drejtimin e duhur, nëse zbatohet plotësisht, por me disa shtesa të dyshimta dhe me elemente të rëndësishme që mungojnë”, ka thënë Serwer. “Nuk përmendet reciprociteti brenda Serbisë për komunitetin shqiptar. Nuk ceken se cilat kushte do ta rregullonin ‘ndihmën financiare nga Serbia'. Nuk dihet se çfarë do të thuhet me ‘kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit me Qeverinë e Serbisë’”.
“Ajo më e rëndësishmja mungon. Nuk ka asnjë referencë të dukshme për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin atë. Dështimi për të marrë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse është një prishje e marrëveshjes. Ndoshta nuk do të duhej të ishte në tekst, por duhet të ndodhë në mënyrë që Kosova të bindet se normalizimi është i vërtetë. Edhe me ato pesë njohje, kjo marrëveshje nuk do t’i afrohej Traktatit Bazë Gjermano-gjerman, sipas së cilit thuhet se është modeluar. Kjo kishte ndikuar që Republika Federale dhe ajo Demokratike të bëheshin anëtare e Kombeve të Bashkuara. Këtu nuk ka një mundësi të tillë, pasi Rusia do të kërkonte një çmim të papranueshëm”, ka thënë Serwer.
Serwer ka treguar se si emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me përfaqësues të pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Por, ai thotë se duhet më tepër angazhim.
“Secila duhet të bindet se ka ardhur koha për të hequr dorë nga kundërshtimi i perspektivës evropiane të Kosovës. Washingtoni dhe kryeqendrat e BE-së, jo vetëm Lajçaku, duhet të angazhohen”, ka shkruar Serwer.
Serwer ka thënë se duhet bërë presion Beogradit e Prishtinës për të bërë kompromiset e nevojshme.
“Presioni mbi Kosovën ka qenë i dukshëm prej kohësh. Është relativisht lehtë t’i bëhet presion një vendi që nuk ka opsion tjetër vetën t’i bashkohet NATO-s e BE-së. Presioni ndaj Serbisë është dukshëm më i vogël. Presidenti Vuçiq ka luajtur një lojë të suksesshme mbrojtëse, duke balancuar Rusinë dhe Kinën kundër BE-së dhe SHBA-së. Por, loja mund të përfundojë tash. Evropianët i kanë bërë ultimatum të ashpër Serbisë, përmbajtja specifike e të cilës është e pasigurt, por e lehtë të imagjinohet”, ka shkruar Serwer.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media të hënën tha se Serbia do të përballet me masa të ashpra nëse nuk pranon propozimin franko-gjerman, dhe për këtë është paralajmëruar.
Ai ka thënë se është paralajmëruar se do të ndalet rruga e anëtarësimit të Serbisë në BE, do të kthehet regjimi i vizave e po ashtu do të ketë tërheqje të investimeve.
Vuçiqi madje tha se Serbia nuk duhet ta gënjejë veten e duhet të kuptojë pasojat që e presin në rast të refuzimit.
Serwer thotë se diçka është duke lëvizur.
“Diçka ka filluar të lëvizë. Por, nuk është ende e qartë nëse shtytja do të jetë e mjaftueshme. Duhet të presim dhe të shohim nëse shpresat realizohen apo prishen”, ka thënë Serwer.