Serbia shpall tre ditë zie, ky është plani në letër i djalit vrasës: Planifikonte të vriste 15 shokë (video)
Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që nga dita e premte të shpallë gjendje zie në të gjithë territorin e vendit dhe për shkak të kësaj ngjarje tragjike, mësimi sot nuk do të mbahet në turnin e pasdites.
Nga nesër mësimi do të fillojë me një minutë heshtje, tha ministri i Arsimit, Branko Ruzhiç në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë.
Ruzhiç theksoi se tetë fëmijë humbën jetën, si dhe një pjesëtar i sigurimit të shkollës, ndërsa nxënësit e lënduar dhe një mësues u shtruan në spital.
Më tej, ai ka shpjeguar edhe gjithë rrethanat.
“Askush nuk mund t’i kthejë fëmijët te prindërit e tyre. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:45, kur një nxënës i klasës së shtatë ka kryer këtë akt mizor, për herë të parë në historinë e Serbisë”, theksoi ministri, duke shtuar se unaza e sigurisë ka ekzistuar, ka funksionuar video survejimi dhe ka qenë i pranishëm një pjesëtar i sigurimit, si dhe polici i shkollës që ka qenë në xhiron e rregullt në shkollë.
Veselin Miliç, shef i Departamentit të Policisë për Beograd, tha nga ana tjetër se djali i arrestuar K.K. e kishte planifikuar sulmin për një muaj dhe se kishte përdorur një armë që ia kishte marrë babait të tij, si dhe se kishte me vete katër kokteje molotov.
Pavarësisht pretendimit se armët mbaheshin nën çelës dhe në një vend të sigurt, ministri i Brendshëm Bratislav Gasic tha për shtypin se babai i K.K. është arrestuar.
Ai tha se sulmuesi kishte planifikuar sulmin për një muaj dhe se kishte me vete një listë të fëmijëve që donte të vriste, si dhe planet e klasës.
Miliç tha se zgjodhi sot sepse klasa e historisë është më afër hyrjes dhe se sot klasa e tij ka pasur orën e parë të historisë.
Ai tha se K.K. ka qëlluar rojën dhe dy vajzat në hyrje të shkollës. Më pas ai hyri në klasën e historisë dhe qëlloi mësuesin dhe fëmijët. Miliç shtoi se pas kësaj K.K. doli në oborr dhe thirri policinë.
Tragjedia
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Beograd paraditen e 3 majit, ku një adoleshent 14-vjeçar, raportohet se ka shkuar me një armë në shkollën e tij dhe ka lënë të vrarë të paktën 9 persona, duke plagosur edhe disa të tjerë.
Mes të vrarëve kanë qenë sipas raportimit zyrtar nga Policia, tetë fëmijë, si edhe roja i shkollës.
Numri i të plagosurve, mendohet ndërkaq se është 16, por sërish nuk ka shifra zyrtare nga Policia.
Ngjarja është ende në hetim dhe bilanci mundet të rritet edhe më tej.
Mediat serbe kanë raportuar se fillimisht, djali është futur në klasën e tij, ka nxjerrë armën dhe ka filluar të qëllojë, duke lënë disa të vdekur.
Disa prej të dëmtuarve ndërkaq janë dërguar në spital, teksa autori është arrestuar.
Një prej dëshmitareve të ngjarjes, ka thënë ndërkaq se dëgjoi zhurma në orët e para të mëngjesit dhe mendoi se fëmijët në shkollë, po hidhnin fishekzjarrë.
Më pas, pikasi rojën e sigurisë, i cili ra përtokë dhe më tej, pavarësisht se ajo kërkoi të ngjitej lart, nuk e lejuan. Pasi panë se punonjësi i sigurisë ishte qëlluar, kanë shkuar të gjejnë strehim.
Disa ministra të Qeverisë janë gjendur gjithashtu në terren dhe një deklaratë zyrtare pritet në orët e mëvonshme lidhur me sulmin.
Ky është i pari i një natyre të tillë, i regjistruar në Ballkan vitet e fundit, ku më së shumti rastet e ngjashme janë parë në SHBA, me vrasje masive qoftë në shkolla, apo edhe në supermarkete, qendra tregtare e ambiente të tjera publike. /Albanianpost.com/