Serbia po kryen spastrim etnik në Luginë të Preshevës përmes pasivizimit të adresave
Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të enjten është kërkuar që të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës. E pjesëtarë politikë dhe akterë të shoqërisë civile këtë e shohin si problem politik.
Mbi gjashtë mijë shqiptarë në tri komunat jugore të Serbisë me popullsi shqiptare, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, janë hequr në mënyrë të paligjshme dhe sistematike nga regjistri civil gjatë viteve të fundit. Komiteti i Helsinkit këtë veprim e ka quajtur "spastrim etnik administrativ".
Teuta Fazliu, banore e Bujanocit por që jeton me vite në Prishtinë, tregon për Radio Kosovën se si gjatë pandemisë derisa ishte duke qëndruar te familja e saj, e mori vesh se nuk ishte më banore e Bujanocit.
“Në maj të 2020, më vjen një vendim nga Policia lokale që adresa ime është shuar. Menjëherë kam bërë ankesë në MPB-të Serbisë, ku pa u bërë një muaj më kanë kthyer përgjigje, ku kanë shkruar në vendim se adresa ime është pasivizuar pasi që Teuta Fazliu, nuk jeton në Bujanoc, por jeton në Prishtinë, punon në Qeverinë e Kosovës dhe është e martuar me kosovar. Pas këtij vendimi, kam ngritur një padi në Gjykatën Administrative dhe nga ajo kohë nuk kam marrë asnjë përgjigje”, ka thënë ajo.
Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, u ngrit të enjten nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
"Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, të njëjtat duhet të zbatohen edhe për minoritetin shqiptar në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Për fat të keq, mbetemi ende të shqetësuar për pasivizimin e adresave të tyre rezidenciale dhe mungesën e investimeve të rëndësishme dhe stimulimeve ekonomikë në atë rajon", tha Begaj.
Shaip Kamberi, përfaqësues politik i shqiptarëve të Luginës se Preshevës, thotë për RTK-në se kjo është çështje politike.
“Në vazhdimësi qeveritë që nga viti 2012 po tentojnë të ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë në Luginë të Preshevës, e që në mënyrën më drastike kjo është bërë në Medvegjë. Një spastrim etnik me masa administrative të cilin po e bënë Qeveria e Serbisë, para syve në BE-së”, ka thënë ai.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë për Radio Kosovën se rastet e shuarjes së adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, janë mohim i të gjitha të drejtave të njeriut.
“Me vite të tëra serbët dhe shqiptarët kanë shkuar në diasporë për të punuar dhe ndërkohë Serbia ka miratuar një ligj që shfuqizon individët që nuk janë të regjistruar në adresat e paraqitura. Por kjo, aplikohet vetëm për shqiptarët. Deri tani nuk kemi pasur asnjë rast të paraqitur për ndonjë serb”, është shprehur Biserko.
Ditë më parë sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i është dërguar një letër nga dy senatorë amerikanë lidhur me situatën për shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës, ku studiuesit dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dhënë alarmin për "spastrimin etnik administrativ" të tyre nga regjistri civil.
Më herët edhe Parlamenti Evropian kishte miratuar rezoluta për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi.
Një hulumtim është kryer nga akademikja Flora Ferati Sachesenmaier. Raporti përfundimtar i punës së saj, i publikuar kohët e fundit, zbuloi se mbi 6,000 shqiptarëve u janë pasivizuar adresat e tyre nga rajoni i Luginës së Preshevës, duke i bërë ata pa shtetësi dhe të paaftë për të blerë ose shitur prona, për të pasur qasje në arsim ose kujdes shëndetësor, për të votuar ose për të ushtruar të drejta të tjera themelore.
Hulumtimi i Feratit zbuloi se popullsia e shqiptarëve etnikë në disa rajone është ulur me mbi 70 për qind, në disa zona, edhe pse ata ende jetojnë fizikisht atje.
Qytetarët e Luginës së Preshevës, nga tash e tutje do të kenë platformën digjitale mbi çështjet e pasivizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit në Serbi, raportojnë mediet. Në këtë platformë online, ata mund të informohen, të raportojnë, të ankohen dhe të sigurojnë ndihmë juridike falas, mbi çështjet e pasivizimit.