Serbia nxjerr numrin e votave që Kosova do të mund të merrte në OKB
Serbia është e bindur se Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në OKB.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, u shpreh të hënën në programin e mëngjesit në “TV Happy”, se Serbinë e pret një “udhëtim i vështirë diplomatik”, por shprehu bindjen se vendi i tij ka ndryshuar siç tha, “balancën e fuqisë” në Kombet e Bashkuara (OKB) sa i përket numrit të vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nga 193 anëtarë, Kosova nuk mund të marrë më shumë se 83 vota”, tha Daçiq dhe shtoi se ka raste kur shtetet që e kanë pranuar pavarësinë, nuk votojnë për Kosovën në nisma të ndryshme.
Kohëve të fundit po qarkullon një draft franko-gjerman i hedhur në publik si “non-paper” dhe ku parashihet edhe pranimi i Kosovës në OKB si pjesë e marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve.
Sipas tij, Kosova edhe po të kalojë votimin me shumicë në OKB, mund të bëhet vetëm shtet vëzhgues jo-anëtar, njëjtë sikurse Palestina. Për t’u bërë anëtar i plotë duhet miratimi i Këshilli të Sigurimit, ku anëtare të përhershme janë Rusia dhe Kina.
“Kjo është arsyeja pse qëndrimi i Rusisë dhe Kinës është shumë i rëndësishme për ne, në mënyrë që ata të mund të vënë veton”, tha ai Daçiq, përcjell gazeta “Danas”.
Ai ka theksuar se për këtë arsye “çështja e Rusisë, Ukrainës, Kosovës, Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara nuk mund të shikohen veçmas”.
“Prandaj them se duhet të ketë një ‘paketë për Serbinë’, e cila para së gjithash do të fillonte nga Kosova dhe mendoj se një paketë e tillë për momentin nuk ekziston. Nuk kemi marrë asnjë propozim që do të ishte bazë për bisedë”, tha ai.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, pavarësinë e shpallur më 2008, e kanë njohur 117 shtete anëtare të OKB-së.