Serbia dërgon libra në Kosovë, ndërsa i konfiskon në Luginë!
Tekstet shkollore nga Serbia, të cilat si destinacion kishin Kosovën, e të cilat para disa ditëve janë ndalur në pikën kufitare në Jarinje, tashmë janë lëshuar të hyjnë në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, përfaqësues të Doganave të Kosovës.
E zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, theksojnë se librat tashmë po shpërndahen në shkollat përkatëse dhe se ato edhe pse nuk janë në përputhje me plan programin e institucioneve tona, një gjë të tillë, ua lejon Pakoja e Ahtisarit dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Librat e Gjeografisë, Kosovën e paraqesin si pjesë të Serbisë, kurse ato të historisë tregojnë për ‘pakicën shqiptare’, në Kosovë të cilët kanë okupuar trojet e Serbisë.
Këto dhe librat e tjerë ende vazhdojnë të lejohen të hynë në Kosovë dhe nga to të mësojnë nxënësit e komunave serbe në Kosovë.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci thotë se para disa ditëve ato libra nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë, pasi që u ka munguar dokumentacionin përkatës.
Sipas tij, të hënën ata kanë sjellë dokumentacionin e duhur dhe se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat, që mundësojnë hyrjen e atyre librave në Kosovë.
Ndërsa, Xhavit Dakaj, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë thotë se librat tashmë kanë arritur në Kosovë dhe janë duke u shpërndarë nëpër shkollat përkatëse.
Dakaj bënë të ditur se kërkesën për lejimin e këtyre librave që të hyjnë në Kosovë e ka bërë vet ai dhe se kjo çështje ka përfunduar tashmë.
Sipas tij, për çdo kontingjent që vjen si donacion, Dogana kërkon pëlqim të institucioneve të Republikës së Kosovës për fushën përkatëse.
Në rastin konkret, kur bëhet fjalë për materiale që i dedikohen shkollave, pavarësisht të cilit nivel apo për cilat komunitete është fjala, ai tha se pranuesi i donacionit bënë kërkesë që në emër të Ministrisë të lejohet hyrja e një kontingjenti pa doganë, çoftë ai material didaktik apo shkollor.
“Në rastin konkret, të premten ka ardhur një kontingjent i librave nga Republika e Serbisë, dedikuar nxënësve nga klasa e parë në të katërtën, të komunitetit serb për disa komuna. Dhe meqenëse ka qenë vikend, unë kam komunikuar me zyrtarët që merret me arsim, jemi dakorduar që të hënën do ta shqyrtojmë kërkesën dhe do të veprojmë sipas praktikave që kemi vepruar. Natyrisht, dje me fillimin e orarit të punës, është parë dokumentacioni dhe unë si përgjegjës i pjesës së shërbimit civil, si zyrtari më i lartë administrativ, në përputhshmëri me kompetencat e mija dhe sipas praktikave që kemi bërë deri më tani, kam bërë kërkesë për Doganën që t’i lirohen këto libra, për t’u shfrytëzuar nga nxënësit e komunitetit pakicë serb pa doganë dhe është realizuar projekti. Në momentin e shkuarjes së shkresës sime, kontingjenti ka kaluar doganën dhe është në shpërndarje e sipër, nëpër shkollat e dedikuara”, tha ai.
Ndërsa, se a do të duhej që këto libra të lejohen të hyjnë në Kosovë apo jo, ai thotë se kjo është çështje politike.
Ai thekson se këtë e lejon Pako e Ahtisaarit dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, pavarësisht se këto libra janë apo jo në përputhje me planprogramin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Ky është një problem që tejkalon ndoshta sferat e kompetencës së një zyrtari më të lartë të shërbimit civil. Është më tepër e karakterit politik. Por megjithatë Pakoja e Ahtisarit i ka rregulluar këto çështje që edhe pakicat e komuniteteve tjera mund t’i shfrytëzojnë librat që vijnë nga shtetet amë të tyre. Dhe konform kësaj dhe në kuadër të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, këto lejohen në përdorim pa u lëshuar në atë se a janë në përputhje me plan programet e Republikës së Kosovës”, thotë Dakaj.
Zyrtarë të MASHT-it thonë se ky është një obligim ndërkombëtar që Kosova ka marrë nga Pako e Ahtisarit dhe se Kosova pranon libra të tillë, edhe nga Bosnja dhe Hercegovina dhe jo vetëm nga Serbia.
Ndryshe, Një komision i pavarur, i ngritur në Kosovë për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe në vitin 2010, vë në dukje se tekstet e librave janë të mbushura me urrejtje e fakte të pavërteta për shqiptarët.
Nxënësit serbë, qytetarë të Kosovës mësojnë në shkollë se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk njohin himnin e saj, por vetëm atë serb.
Në librat e historisë, shkruhet se shqiptarët kanë kryer gjenocid ndaj serbëve, por nuk dinë asgjë për konfliktin e vitit 1999. Këngët e poezitë e shkollës janë të mbushura me gjuhën e urrejtjes.
Këto fakte, tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës sipas Komisionit të pavarur për rishikimin e kurrikulumit në shkollat serbe, mësohen që nga klasa e parë e deri në shkollën e mesme.
“Librat e historisë janë me plot tekste, të cilat serbët dhe shqiptarët i paraqesin në pozitën e xhelatit dhe të viktimës, që direkt inkurajojnë konflikt ndëretnik”, ka thënë Radivoje Mancic, kryetar i Komisionit të pavarur.
Konfiskimi i librave në Raincë të Preshevës
Përderisa në Kosovë librat futen edhe pse nuk janë në përputhje me plan programin e institucioneve përgjegjëse kosovare, në Luginë të Preshevës ato konfiskohen nga inspekcioni i mbështetur nga policia serbe.
Në nëntor të vitit të kalur në aksionin e inspektoratit serb në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës, u konfiskuar të gjitha librat, mbi pesë mijë copa.
Të gjithë tekstet e vendosura fillimisht në këtë shkollë që më pas prej aty të shpërndahen nëpër shkolla të tjera shqipe, ishin të hartuar sipas plan programeve të Kosovës dhe të shtypur nga botuesit kosovarë, ndërsa i dedikoheshin nxënësve nga klasa e parë fillore deri në të katërtën.
Librat e konfiskuar kanë qenë dhuratë e Ministrit të Arsimit të Kosovës, Ramë Buja për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, njofton portali informativ Titulli.
Të gjithë librat, sipas kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafës, në momentin e konfiskimit janë dërguar në stacionin policor të qytetit të Preshevës.
Përpos kësaj Drejtori i shkollës, Shukri Ymeri dhe sekretari i shkollës, Begzad Iljazi ishin shoqëruar për në stacionin policor të Preshevës për t’u intervistuar, që më vonë të liheshin të lirë.
“Sipas tyre arsyetimi i këtij veprimi ka të bëjë me atë se librat nuk janë të harmonizuara me plan programin e ministrisë së arsimit të Serbisë. Pra janë libra të plan programit të Kosovës”, kishte thënë kryetari Mustafa.
Ai kishte apeluar te Qeveria e Kosovës që të marrë qëndrim sa më të shpejtë rreth kësaj çështje e poashtu edhe të ndërprenë bisedimet me Serbinë, mirëpo deri më sot librat e konfiskuara edhe matej gjenden në “burgjet serbe”.
Pas këtij lajmi kishte reaguar ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku e cila pat thënë se do ta ngris këtë çështje urgjentisht në instancat ndërkombëtare.
“Para pak ditësh kam qëndruar në Preshevë dhe kam parë me sytë e mi shkallën e shtypjes dhe mungesës së investimeve dhe zhvillimi atje. Komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës është padyshim komuniteti më i diskriminuar në Evropë dhe qeveria e Kosovës do ta ngris menjëherë dhe pa vonesë këtë çështje në instance ndërkombëtare”, ka përfunduar Çitaku.
Edhe përskaj këtyre deklarimeve publike të ministres kosovare, nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës vazhdojnë të zhvillojnë procesin mësimor në mungesë të teksteve në gjuhën amtare./Titulli.com/