Salihu: Këto 20 vite asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka pasur strategji të qartë për Luginën e Preshevës
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu ka thënë se në 20 vitet e fundit, asnjë Qeveri e Republikës së Kosovës nuk ka pasur një vizion të qartë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Salihu ka thënë se jo më ndryshe po vepron edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili sipas tij, po diferencon në organizimin politik.
“U bë një kohë e gjatë që Kurti të them të drejtën pak diferencon në organizimin politik, në kuptimin e pëlqimeve individuale. Mbaj mend që ka më shumë se një vit që spektri politik anashkalohet në kuptimin e takimit të përbashkët por kryesisht ka pas takime me parti të caktuara e ku në veçanti është diskutuar për çështjen e deputetit në këshillin nacional. Pra, në dijeninë time asnjëherë nuk është diskutuar për çështjen e një strategjie ose një vizioni të Qeverisë së Kosovës kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar ai gjersa ka theksuar se “Këto 20 vite asnjë qeveri nuk ka strategji të qartë se cili do të jetë pozicioni i Qeverisë së Kosovës kundrejt bashkëkombësve të vet të cilët në prizmin më të zgjeruar janë reflektim i shtetit amë”.
Krahas kësaj, Salihu ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të krijoj një komunikim me gjithë spektrin politik. Ai ka thënë se si Komunë e Preshevës dhe vet Salihu, është i hapur për komunikim, strategji e këshilla me Qeverinë e Kosovës.